INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbardhët dëshmia e burrit që vrau bashkëshorten e tij me sqepar

Zbardhët dëshmia e burrit që vrau bashkëshorten e tij me sqepar

Publikuar më: 09:47 19-08-2017

Një masakër ka tronditur ditën e djeshme qytetin e Lushnjës ku një 55 vjeçar ka vrarë me sqepar gruan e tij.

Ditën e sotme policia ka zbardhur dëshminë e tij për ngjarjen.

Tajar Kazanxhi, 55 vjeç shprehet se nuk mban mënd asgjë se çfarë ka ndodhur sepse ka qenë i dehur.

Sipas të dhënave të Policisë, dy bashkëshortët jetonin të vetëm në fshatin Plug. Ata ishin prindër të dy vajzave, të cilat janë të martuara. Në momentin e ngjarjes, në banesë ka qenë vetëm viktima.

Kjo e fundit ka qenë duke prashitur perimet që i kishte mbjellë në një sipërfaqe në fund të oborrit, kur i shoqi është kthyer në banesë rreth orës 18:15. Ai ka qenë në gjendje të dehur dhe ka nisur pa shkak të debatojë me të shoqen, e cila herë pas here i kërkonte të punonte dhe të mos pinte.

Për këtë shkak, debatet mes tyre kanë qenë të vijueshme, pasi i zoti i shtëpisë thuajse çdo ditë shkonte i dehur në shtëpi. Sipas të dhënave, pas një debati momental, 55- vjeçari e ka dhunuar të shoqen.

Më pas, ai i ka marrë nga dora një sqepar, me të cilin ajo po prashiste, dhe e ka masakruar duke e qëlluar disa herë në kokë dhe në kraharor. Britmat e gruas kanë vënë në alarm fqinjët e tyre. Ata mbërritën në vend, por ka qenë tepër vonë. 51- vjeçarja ndodhej mes pellgut me gjak, ndërsa i shoqi i dehur që mbante ende sqeparin në duar, ka qëndruar në vend në pritje të policisë.

Fqinjët e kanë dërguar gruan e plagosur rëndë menjëherë në spitalin e Lushnjës. Bluzat e bardha i kanë dhënë asaj ndihmën e parë, por për shkak të plagëve të rënda në kokë dhe në trup ata kanë vendosur ta nisin me urgjencë drejt spitalit të Traumës.

Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve të Tiranës, 51- vjeçarja nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve të rënda e për pasojë ka ndërruar jetë pak minuta më pas. E sinjalizuar për ngjarjen, policia e Lushnjës mbërriti në vend dhe arrestoi menjëherë autorin e krimit.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se në momentin e arrestimit burri ka qenë i dehur. Ai është shprehur se nuk mbante mend asgjë nga ajo që kishte ndodhur. Në pyetje janë marrë edhe fqinjë të tyre, të cilët kanë konfirmuar se çifti kishte shpesh zënka dhe se gruaja dhunohej për shkak se kryefamiljari pinte.

“Në datën 18.08.2017, rreth orës 18:15, në fshatin Plug, shtetasi Tajar Kazanxhi, 55 vjeç, në banesë ka goditur me sende të forta bashkëshorten e tij, shtetasen Natasha Kanzanxhi, 51 vjeçe, e cila më pas humbi jetën. Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnje, autorin e dyshuar, shtetasin Tajar Kazanxhi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje”, thuhej në njoftimin e policisë.

Article Logic
Execution time: 0.0036399364471436