Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e kryeqytetit në zonën më të populluar të saj, atë të ish-Bllokut, mbrëmjen e kësaj të enjteje. Rigers Gaxha është personi që ka mbetur i vrarë në përplasjen me armë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ndërsa të plagosurit janë Ervis Martinaj, Laert Hasa dhe Redi Popesku, ky i fundit ka marrë vetëm një gërvishtje.
Dyshohet se objektivi i këtij atentati ishte Ervis Martinaj, i cili ka mbetur i plagosur lehtë, ndërsa viktima është truproja e tij. Po ashtu i plagosuri lehtë, Redi Popesku, është pronari i lokalit në “Bllok”, brenda të cilit ka ndodhur dhe ngjarja e rëndë.
Viktima dhe dy të plagosur kanë qenë bashkë, ndërsa Popesku ka qenë brenda ambienteve të lokalit.
Dyshohet se ka qenë një person që ka qëlluar, mendohet se ka përdorur pistoletë, pasi janë gjetur gëzhoja vetëm nga një lloj arme. Shënjestra e këtij atentati dyshohet se ka qenë Ervis Martinaj, pasi gjatë momentit kur është shtënë me armë, truproja i ka dalë përpara, duke mbetur vetë i vrarë me plumb në kokë.