INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbulime të tjera me vlera historike në sheshin Veleria në Durrës

Zbulime të tjera me vlera historike në sheshin Veleria në Durrës

Publikuar më: 09:07 10-02-2017

Të tjera sende antike ka nxjerrë nëntoka në Durrës Zbulime arkeologjike kanë dalë në dritë nga punimet, që po bëhen në sheshin “Veliera” të qytetit të Durrësit dhe konkretisht në pjesën perëndimore të tij, aty ku pak ditë më parë u zbuluan themelet e një godine të periudhës së mesjetës. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit të këtij qyteti kanë gjetur një top tjetër, më i vjetër se i pari dhe në madhësi të vogël, disa predha prej guri si dhe një skulpturë me kokën me çallmë të një personi që mendohet të ketë qenë zyrtar i lartë i asaj kohe.
Gërmimet që po bëhen nga punonjësit e ndërmarrjes në fjalë mbikëqyren nga disa arkeologë të rinj. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit thanë se po punojnë prej disa ditësh në shesh, pasi janë urdhëruar nga drejtuesit e tyre.
Topi i dytë u gjet në themelet e godinës së periudhës osmane, që dyshohet se ka qenë dogana e portit të Durrësit, me drejtim nga deti, pjesë e fortifikimit të këtij porti dhe mbrojtjes së tij nga çdo rrezik. Pritet që strukturat e monitorimit të kontraktuar nga Bashkia e Durrësit si Instituti i Monumenteve të Kulturës të japin një vendim në lidhje me të ardhmen e këtyre zbulimeve, nëse ato do të varrosen apo do të konservohen, për t’u bërë të vizitueshme nga qytetarët dhe turistët.
Ndërkohë, në lidhje me zbulimet arkeologjike në sheshin “Veliera” kanë reaguar intelektualët të ndryshëm, të cilët i kanë bërë apel qeverisë që kjo pasuri arkeologjike të mos varroset njësoj si zbulimet e mëparshme, por të kthehet në një vend për atraksion turistik e të vizitueshëm për të gjithë qytetarët e turistët e huaj.

Article Logic
Execution time: 0.00360107421875