Një grua është gjetur e pajetë nga qytetarë të rastësishëm, pranë bregut të liqenit të Sharrës në Tiranë, ndërsa hetimet e policisë çojnë drejt vrasjes. Gruaja është identifikuar, Lirie Xhepa, 49 vjeç. Burime nga Policia thanë se gruaja është qëlluar me armë zjarri me një plumb në kokë.
Report Tv mëson se gruaja jetonte e vetme me dy fëmijët e saj dhe dy të tjerë ishin në emigracion. Nga hetimet e para dyshohet që i përfshirë në këtë krim të jetë kunati i saj, megjithatë hetimet do të hedhin dritë mbi këtë pistë dyshimi. Viktima me kunatin e saj janë fqinj, banesat e tyre janë 500 metra larg, dhe ndodhen në lagjen "Qershori" në periferi të kombinatit.
Dyshohet se gruaja është vrarë diku tjetër dhe është hedhur më tej pranë liqenit të Sharrës.
Njoftimi në polici nga banorët ka ardhur rreth orës 08:18 kur është konstatuar trupi i pajetë.