INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbulohet arsyeja, ja pse dy vëllezërit do eleminonin ‘të fortin’ e Shijakut

Zbulohet arsyeja, ja pse dy vëllezërit do eleminonin ‘të fortin’ e Shijakut

Publikuar më: 10:06 25-08-2017

Kamerat e sigurisë së subjekteve përreth zbardhin atentatin e ndodhur dy ditë më parë në Shijak ndaj biznesmenit Dashamir Gjoka.

Sipas Policisë, dy vëllezër, banorë të qytetit të Shijakut, dyshohet të jenë autorët që qëlluan me breshëri makinën ku ndodhej i ashtuquajturi i “forti i Shijakut”, bashkë me familjen e tij, gruan e vajzat. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se autorët e dyshuar për krimin janë dy vëllezërit me iniciale E.K. dhe M.K., përkatësisht 32 dhe 36 vjeç. Vëllezërit janë shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tyre, ndërsa policia ka sekuestruar automjetin që ata përdorën për kryerjen e atentatit.

“Pas një pune hetimore të specializuar, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur ditën e mërkurë në Shijak. Janë identifikuar autorët, të cilët dyshohet se qëlluan me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin D.Gj. Dyshohet se autorët janë E.K., 32 vjeç, dhe M.K., 36 vjeç”, bëri të ditur Policia. Shtetasit e mësipërm, vëllezër me njëri-tjetrin, dy ditë më parë, në vendin e quajtur komuna Xhafzotaj, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri automatik automjetin e blinduar (në lëvizje), që drejtohej nga shtetasi Dashamir Gjoka, 46 vjeç, banues në Shijak.

HETIMI

Gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes, u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.

Në cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe mjeti në të cilin dyshohet se kanë qenë shtetasit e mësipërm, si autorë të dyshuar në momentin që kanë qëlluar me armë zjarri. Gjithashtu, edhe makina e blinduar e Gjokës është bllokuar nga policia dhe po i nënshtrohet ekspertizës. Ekspertët që po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje bëjnë me dije se autorët e kanë ditur se në timon ndodhej Dash Gjoka, shkruan panorama.

Të njëjtat burime thanë se nuk e patën shumë të vështirë identifikimin e autorëve. Fillimisht është identifikuar mjeti që ata përdorën në atentatin e organizuar, ku ndihmesë, veç disa dëshmitarëve, janë bërë edhe disa kamera të subjekteve, të cilat policia ka shkuar dhe i ka bllokuar.

Sa i përket motivit të ngjarjes, Policia dyshon se ka të bëjë me një konflikt që i përket të kaluarës mes Dashamir Gjokës dhe dajës së dy vëllezërve të dyshuar si autorë. Në vitin ‘97, Gjoka dhe daja i autorëve kanë pasur një përplasje të ashpër mes tyre. Dyshohet se mes tyre ka ende hesape të pambyllura, çka ka ndikuar që nipërit të marrin hak 20 vite më pas. Për të vërtetuar motivin e kësaj ngjarjeje, policia vazhdon të marrë në pyetje Gjokën dhe të afërmit e autorëve të dyshuar.

Article Logic
Execution time: 0.0039100646972656