INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbulohet formacioni i Kombëtares në ndeshjen ndaj Rumanisë. Priten ndryshime

Zbulohet formacioni i Kombëtares në ndeshjen ndaj Rumanisë. Priten ndryshime

Publikuar më: 16:47 18-06-2016

Priten ndryshime në formacion në ndeshjen me Rumaninë. Paditen e së djeshmes,  Gianni de Biasi, pas një dite e gjysmë pushim absolut, ka nxjerrë skuadrën në terren për të zhvilluar stërvitjen e parë në prag të takimit të së dielës me Rumaninë.

Që në mesnatën e së mërkurës, duke parë intensitetin e sfidës me “gjelat”, mësohet se trajneri Gianni De Biasi vendosi që ekipi të ketë më shumë kohë rikuperimi për të qenë gati në përballjen e fundit në grup.

Lojtarët u mjaftuan me masazhe gjatë së enjtes, ndërsa edhe dje e vetmja stërvitje ka qenë më shumë relaksuese. Vetëm në fundin e seancës italiani i ka kushtuar rëndësi taktikës.

Gjithsesi, burime pranë Kombëtares tregojnë se De Biasi nuk ka dashur të zbulojë asgjë sa i përket formacionit. Trajneri ka përzier grupin, në një kohë që dihet tashmë se ndaj Rumanisë do të mungoj vetëm mesfushori Burim Kukeli, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Në seancën e djeshme ra në sy mosprezenca me grupin e mesfushorit Ledian Memushaj, i cili zhvilloi stërvitje i diferencuar për shkak të një kontraktimi muskulor.

Stafi mjekësor i Kombëtares konfirmon për “Panorama Sport” se vlonjati nuk ka ndonjë problem serioz që mund ta lërë jashtë takimit me rumunët, por thjesht lodhje prej ndeshjes me Francën, ku vrapoi 10.72 kilometra. I sigurt është rikthimi titullar në qendër të mbrojtjes i Lorik Canës. Burime pranë stafit bëjnë të ditur se trajneri nuk mendon të lërë në stol kapitenin, edhe pse Ajeti bëri një paraqitje të mirë me Francën.

Me Etrit Berishën të sigurte në portë, edhe pozicionet e tjera të mbrojtjes, Hysaj në të djathtë e Agolli në majtë, si dhe Mavraj në qendër, janë të konfirmuar.

Dilema më e madhe është qendra e mesfushës, aty ku Kaçe dhe Xhaka luftojnë për një vend. Më i avantazhuar duket korçari, por nuk ka asgjë të sigurt, në një kohë që Abrashi dhe Memushaj me shumë mundësi do ta nisin sërish si titullarë.

Në krahun e djathtë të mesfushës do të rikthehet Roshi, ndërsa në të majtë rikonfirmohet Lenjani. Dilema për trajnerin ka në sulm, por gjasat janë që Sadiku të ulet në stol dhe Cikalleshi ta nisë nga minuta e parë.

Article Logic
Execution time: 0.0048329830169678