Trupat siriane kanë gjetur një varr masiv me rreth 40 kufoma në qytetin e Palmirës, pak ditë pas dëbimit nga territori i tij i militantëve të Shtetit Islamik.
Lajmin e bën të ditur agjencia “Sana”, sipas të cilës varri përmban trupa burrash, grash e fëmijësh dhe u zbulua në krahun veri-lindor të qytetit antik.
Disave prej tyre u është prerë koka, ndërsa të tjerë janë qëlluar, ka thënë ndërkohë një burim ushtarak për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Sipas të njëjtit burim, Mes viktimave ka oficerë, ushtarë, anëtarë të milicive pro-regjimit dhe të afërmit e tyre. 24 prej viktimave rezultojnë civilë, përfshirë 3 fëmijë, shton më tej burimi.
Trupat e pajetë janë transferuar ndërkohë në spitalin ushtarak të qytetit të Homsit dhe disa prej tyre janë identifikuar.
Të dielën e kaluar, ushtria siriane e mbështetur nga forcat ruse, rimori nën kontroll Palmirën dhe kompleksin e famshëm të saj të rrënojave të lashta, të cilat u dëmtuan nga militantët e ISIS majin e vitit të kaluar.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, gjatë pushtimit terroristët ekzekutuan të paktën 280 persona.