Një nga vrasjet më të bujshme të vitit 2017 në Tiranë, ishte ekzekutimi i ish-komisarit Artan Cuku në derën e banesës së tij në “Rrugën e Kosovarëve”.
Ekzekutimi mafioz i tronditi të gjithë dhe policia i shtriu hetimet në disa pista.
Pak muaj pas vrasjes në pranga ra autori i ngjarjes, i identifikuar si Mikel Shallari por i cili dyshohej se ishte paguar.
Për Shallarin janë zhvilluar disa seanca gjyqësore dhe së fundmi ai ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Bindja e Shallarit për të dëshmuar duket se ka çuar hetuesit në zbardhjen e vrasjes me pagesë të Cukut, që më parë shoqërohej nga shumë enigma.
Ndërsa mesditën e sotme mediat raportuan se personi i dyshuar si urdhërues i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut, është shtetasi Bledar Jambelli, 37 vjeç i cili mësohet se është arrestuar nga komisari në vitin 2012
Ndërkohë mësohet se Mikel Shallari fillimisht ka marrë 3 mijë euro për të kryer vrasjen e Artan Cukut dhe shumën tjetër të parave do ta merrte pasi të përfundonte me sukses “detyrën” që i ishte caktuar.