Zhvillimi i teknologjisë ka bërë që disa prej profesioneve të bëjnë ndryshime për tju përshtatur kohës. Gazetaria është njëri prej këtyre profesioneve i cili për të qenë më pranë lexuesve është futur në botën e teknologjisë nëpërmjet mediave online.
Po sa janë përshtatur njerëzit me mediat online dhe sa i lexojnë lajmet nëpërmjet pajisjeve dixhitale?
Sipas Institutit Reuters të Monitorimit të Lajmeve Dixhitale, Australianët janë ndër lexuesit më të paktë në botë të lajmeve në internet.
Një anketë e realizuar nga ky institut për vitin 2019-ën zbulon se 52% e australianëve lexojnë lajmet një herë në ditë krahasuar me 85% të suedezëve, 79% e polonezëve, 78% e turqve dhe 67% e anglezëve.
Kur flitet për konsumin e lajmeve mes burimeve dixhitale dhe tradicionale, shumica e të anketuarve në 29 nga 38 vende pjesë e anketës thonë se ende e marrin informacionin nga burimet tradicionale.
Sipas anketës vetëm 17% e të intervistuarve thonë se marrin lajmet kryesisht nga mediat sociale.
Përsa i përket vendeve të rajonit, sipas Institutit të Monitorimit të Lajmeve, shumica e popullsisë i marrin informacionet nga televizioni ose gazetat e printuara.