John Key deklaroi se do të dorëhiqet nga posti i kryeministrit të Zelandës së Re, duke cituar arsye familjare, një lajmërim që ka zënë në befasi neozelandezët. Udhëheqësi popullor tha se ishte një vendim personal dhe hodhi poshtë raportimet në media se bashkëshortja e tij prej 32 vitesh i kishte dhënë një ultimatum.
“Ky është vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë. Nuk e di se çdo të bëj më tej. Kjo detyrë kërkoi sakrifica të mëdha nga njerëzit më të shtrenjë për mua. Fëmijët e mi janë përballur me një nivel të jashtzakonshëm ndërhyrjesh në jetët e tyre”, tha John Key, kryeministrër i Zelandës së Re.
Kryeministri Key tha gjithashtu se puna e kishte lodhur shumë dhe nuk kishte më se çfarë të ofronte, ndërsa shtoi se bashkëshortja e tij ishte e lumtur që do ta kishte në shtëpi.
Pritet që vendi i tij të merret përkohësisht nga zëvendëskryeministri, Bill English, derisa Partia Nacionale të zhvillojë zgjedhjet për kreun e ri të ekzekutivit. Kryeministri neozelandez u vlerësua edhe nga opozita, udhëheqësit e së cilës thanë se ai i kishte shërbyer mirë vendit.
John Key vlerësohet si njeriu që nxori Zelandën e Re nga kriza ekonomike e vitit 2008 dhe njihet me nofkën “Teflon John”, pasi gjatë 8 viteve në pushtet nuk ka pasur thuajse asnjë kontradiktë. Në konferecën për shtyp, ai tha se do ta japë dorëheqjen formalisht në datën 12 dhjetor.