INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjedhjet në 30 qershor, SHBA: Mos i pengoni, refuzoni dhunën…

Zgjedhjet në 30 qershor, SHBA: Mos i pengoni, refuzoni dhunën…

Publikuar më: 16:15 28-06-2019

Kur na ndajnë dy ditë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ambasada e SHBA-së në Tiranë në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë e jo vetëm që të sigurohen që zgjedhjet të jenë të qeta e transparente.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit” thuhet në komunikim.

SHBA bën me dije se të dielën do të ketë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë.

Ndër të tjera bëhet thirrje që pas zgjedhjeve udhëheqësit politikë të rikthejnë vëmendjen te forcimi i institucioneve politike.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve” mbyllet mesazhi i ambasadës amerikane.

Article Logic
Execution time: 0.0034599304199219