INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjedhjet në Maqedoni: VMRO-DMPNE e Gruevskit shpallet fituese, shqiptarët humbin 7 mandate

Zgjedhjet në Maqedoni: VMRO-DMPNE e Gruevskit shpallet fituese, shqiptarët humbin 7 mandate

Publikuar më: 09:03 12-12-2016

Duke fituar 51 mandate deputetësh, VMRO-DMPNE e Nikola Gruevskit ka dalë partia e parë në këto zgjedhje, 2 më shumë se LSDM e Zoran Zaev.

Nga Parlamenti me 120 vende, shtypi vendas shkruan se 100 i kanë fituar dy partitë kryesore, ndërsa 20 mandatet e tjera janë ndarë mes 4 partive shqiptare.

Lidhur me rezultatin, Gruevski është shprehur se qytetarët i besuan partisë së tij dhe vizionit të VMRO-së, e këto janë zgjedhjet e 10-ta radhazi të fituara prej tyre.

Gjithashtu ai i ka cilësuar zgjedhjet si korrekte dhe të suksesshme, që sipas tij kanë dëshmuar se Maqedonia është një vend demokratik. “Kemi fituar zgjedhjet, jemi fitues me mbi 400 mijë vota. Urime për zgjedhje të suksesshme. Patëm zgjedhje korrekte dhe demokratike. Kjo është fitorja e 10 me radhë. Qytetarë mbështetën koalicionin tonë”, tha Gruevski.

20 deputetët e tjerë janë ndarë mes partive shqiptare, të cilat duket se në këto zgjedhje kanë humbur terren. 10 mandate deputetësh ka fituar BDI, 5 “Lëvizja Besa”, tre mandate ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH ka marrë vetëm dy.

Sa u përket partive shqiptare në këto zgjedhje, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka humbur shumë nga mbështetja që kishte në zgjedhjet e kaluara, por prape ka arritur të mbetet e para, duke fituar shtatë për qind të votave.

Mediat maqedonase raportojnë se e dyta, është Lëvizja e re politike shqiptare në Maqedoni e quajtur BESA që ka marrë rreth pesë për qind të votave. Kurse, si e humbur në këto votime është Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, që ka fituar vetëm dy për qind të votave.

Ndërsa ajo që ka befasuar në këto zgjedhje sa u përket shqiptarëve në Maqedoni, është numri i madh i tyre që kanë votuar për partinë maqedonase, LSDM. Sipas mediave në Maqedoni janë diku rreth 70 mijë shqiptarë që kanë votuar alternativën socialiste maqedonase.

Rezultatet për partitë kryesore:

VMRO-DPMNE 452.709 vota ose 38.06% të votave
LSDM 436.469 vota ose 36.69% të votave
BDI 86.812 vota ose 7,30%,
PDSH 31.017 vota ose 2,61%
LËVIZJA BESA 57.927 vota ose 4.87%

Article Logic
Execution time: 0.0037469863891602