Vetëm një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve lokale të bojkotura nga opozita ka reaguar edhe presidenti Meta i cili e ka cdekretuar datën 30 qershor si datë zgjedhjesh.
Në një postim në Facebook kreu i shtetit ka uruar shqiptarët të cilët iu larguan konfrontimit, duke i cilësuar votimet socialiste të thirrura nga kryeministri Rama.
"Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama”, shkruan Meta.
Kreu i Shtetit i cilëson votimet e djeshme rikthim të votimeve kolektive duke postuar edhe një video.
“Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre.
Përsa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha.
Tani me duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”.
Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video", shprehet Meta në FB.