INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjerohet mbështetja ndaj Ben Blushit: Ja kush ka firmosur për ndryshime Kushtetuese

Zgjerohet mbështetja ndaj Ben Blushit: Ja kush ka firmosur për ndryshime Kushtetuese

Publikuar më: 11:18 27-06-2016

Ben Blushi parlajmëroi të enjten se do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për ndryshime Kushtetuese, me një propozim konkret, Presidenti të zgjidhet nga populli. Ndërkohë këtë të hënë kërkesa është bërë publike, ndërsa numri i deputetëve që mbështesin këtë propozim ka shkuar në 10. Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë zgjeruar mbështetjen jo vetëm brenda Partisë Socialiste por dhe në radhët e opozitës. Arta Dade e Luljeta Arapi janë deputete socialiste që kanë firmosur në draftin e propoziuar nga Ben Blushi e Mimoza Hafizi. Ndërkohë që nga radhët e deputetëve demokratë janë Eduart Selami dhe Tahir Muhedini. Gjithashtu janë të tjerë aleatë të opozitës që i janë bashkuar nismës së Ben Blushit. Agron Duka, Dashamir Shehi, Nard Ndoka e Vangjel Dule janë të tjerë drejtues të partive të vogla që kanë nënshkruar kërkesën për ndryshime Kushtetuese, në nenin që flet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Lajmi është bërë publik nga vetë nga deputetja e Shkodrës Mimoza Hafizi në faqen e saj në Facebook.
Mimosa Hafizi:
“Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit”.
Por çfarë do të sillte një President i zgjedhur nga populli? Mimoza Hafizi ka këtë përgjigje:
Mimosa Hafizi:
“Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tij”.
Deputetët kërkojnë ndryshime dhe në mënyrën se si mund të ndërhyhet në ligjin themeltar të shtetit.
Mimosa Hafizi:
“Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë”.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0038440227508545