Lajmi i zhdukjes së një aktoreje shqiptare nga Maqedonia ka pushtuar shumë prej mediave të shtetit fqinj.
Bëhet fjalë për 25-vjeçaren Adea Shabani e cila është zhdukur në mënyrë të mistershme në Los Angeles. Ajo ka luajtur së fundmi në filmin ‘All or nothing’.
Shabani u largua nga Maqedonia 2 vjet më parë për të studiuar aktrim në Los Angeles. Shqetësimet u ngritën pasi vajza mungoi në një leksion të rëndësishëm.
Rasti i 25-vjeçares shqiptare ka mobilizuar autoritetet dhe qytetarët atje, të cilët po ndërmarrin një fushatë për gjetjen e vajzës.
E reja u zhduk pa lënë gjurmë një javë më parë, diçka që sipas familjareve dhe miqve të saj është e pazakontë.
Mesazhi i fundit i dërguar prej saj në rrjetet sociale fliste për qirinj të kuq, por nuk ofroheshin të dhëna mbi vendndodhjen.
Miqtë e 25-vjeçares po shpërndajnë postera të Adeas, e kanë kërkuar ndihmë edhe përmes rrjeteve sociale. Edhe nëna e saj udhëtoi drejt Los Angelesit dhe ka punësuar një hetues privat për rastin.
Rasti i saj është publikuar edhe në mediat ndërkombëtare sikurse Daily Mail.