Zinedin Zidan kishte nevojë për qetësi dhe të shkëputej nga ritmi i pandalshëm i jetës që po bënte në drejtimin e Real Madrid. Kjo është arsyeja pse sapo ka ndërprerë kontratën që e lidhte me klubin spanjoll, ka filluar pushimet me familjen e tij, duke mos u shqetësuar se i kishte falur këtij të fundit 24 milionë euro.
Trajneri kishte një kontratë edhe për dy sezone të tjera te Reali, nga i cili do të përfitonte 12 milionë euro në vit. Por në ditën kur ai shkeli në zyrën e Florentino Perez, hoqi dorë plotësisht nga kjo shumë për të cilën trajnerë të tjerë do të bënin maksimumin për të marrë të paktën një përqindje.
Për më tepër, kjo nuk ishte hera e parë kur Zidan i “dhuronte” Realit miliona euro. Pas Botërorit 2006, Zidan i dha fund futbollit të luajtur edhe pse kishte një tjetër vit kontratë me madrilenët. Asokohe, ai paguhej 6 milionë euro në vit, një shifër nga e cila hoqi dorë menjëherë sapo mori vendimin për t’i dhënë fund karrierës, edhe pse ashtu si në rastin kur ishte trajner, Florentino Perez insistonte që të vazhdonte.