91 vatra zjarri janë përhapur 17 ditët e fundit me shpejtësi në të gjithë vendin tonë.
Nisur nga këto ngjarje, Policia e Shtetit që nga data 21 Shtator ka hartuar një plan masash për parandalimin e tyre në pyje-kullota, evidentimin e autorëve kapjen dhe vënien para përgjegjësisë së tyre.
Si rezultat i zbatimit të këtyre masave, javën e fundit janë evidentuar dhe proceduar penalisht 24 autorë të zjarrvënies së qëllimshme apo nga pakujdesia, në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë , Berat , Elbasan , Lezhë, Shkodër e Korçë.
Gjithashtu janë kapur në flagrancë 3 autorë, janë ndalur dy si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Deri tani të gjithë specialistët e zonave kanë marrë detyrë të kontaktojnë me banorë të zonave bujqësore dhe blegtorale me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për të parandaluar zjarrvënien e qëllimshme për të hapur kullota apo edhe zjarrvënien nga pakujdesia.
Policia e Shtetit ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve për të parandaluar zjarrvënien dhe i fton ata të denoncojnë në kohë në numrin 112 çdo rast sado të vogël të shkaktimit të zjarrit në toka bujqësore, kullota apo pyje.