INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zv/presidenti i PE në Prishtinë: Mos premtoni për liberalizimin e vizave

Zv/presidenti i PE në Prishtinë: Mos premtoni për liberalizimin e vizave

Publikuar më: 16:47 10-05-2018
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, bëri thirrje që të mos bëhen premtime lidhur me afatet për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po takohet me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike. Zoti Wieland tha se tani për tani çështja e liberalizimit të vizave ndodhet në duart e Komisionit dhe Këshillit Evropian.
 
“ Unë mund të këshilloj këdo në Evropë dhe në Kosovë që të mos bëjnë premtime, që të mos krijojnë pritje për çështje të caktuara që do të ndodhin në një kohë të caktuar, nuk kemi parë ndonjë letër me të cilën parlamenti evropian voton, të ketë ardhur në parlament”, tha ai.
 
Udhëheqës të institucioneve të Kosovës kanë përsëritur pritjet që deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tyre janë përmbushur të gjitha kushtet.
 
Një ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila priti në Berlin presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për më shumë përparim në Kosovë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Javën e kaluar, në Kosovë qëndroi një ekip faktmbledhës i Bashkimit Evropian, për të të vlerësuar punën e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është njëri nga kriteret për përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Ekipi për dy ditë me radhë u takua me institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, posaçërisht për të vëzhguar rastet e shënjestëruara.
 
Por, sipas vëzhguesve nuk janë të mjaftueshme pasi sipas tyre vendi ka ligje të mira, por mungesa e vullnetit politik dhe ndërhyrja në sistemin gjyqësor po e pamundësojnë luftën e vërtetë kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Article Logic
Execution time: 0.00347900390625