Vera erdhi dhe për një muaj e gjithë vëmendja do të jetë në Francë. Po afron afati i fundit i dorëzimit të listave përfundimtare të ekipeve me 23 futbollistët që do marrin pjesë në Euro2016, dhe sigurisht të gjithë sytë tanë krahas kombëtares tonë, janë edhe te kundërshtarët tanë në grup. Një ndër ta është edhe Zvicra e cila ka publikuar listën zyrtare me 23 futbollistë, dhe ajo çka bie në sy, është “mbipopullimi” me lojtarë shqiptarë. Listës së të konfirmuarve tashmë në kombëtaren helvete, si Shaqiri, Xhaka, Xhemajli, Behrami, Mehmedi, i është bashkuar edhe i riu Shani Tarashaj.
Asi i zviceranëve, Granit Xhaka, që sapo ka kompletuar transferimin te Arsenal, ka postuar një foto në Instagram, në shoqërinë e shokut të tij me të cilin ndan edhe dhomën në grumbullim, Ricardo Rodriguez. Dhe nëse shohim me detaje, të tjerë shqiptarë ndodhen pas. Ata janë Behrami e Mehmedi. Nuk është çudi pasi me aq shumë shqiptarë në kombëtaren zviceriane çdo foto spontane do e ketë një të tillë pas.