Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 10 vite burg Klement Balilin. Vendimin, Balili ka preferuar të dëgjojë vetë, duke qenë i pranishëm në sallë. Gjatë deklarimit të vendimit Balili ishte në sallë, duke pritur me qetësi vendimin e gjykatës, ndërsa Prokuroria kërkoi 18 vite heqje lirie për të. Gjykata vendosi 15, por duke qenë se çështja trajtohej me gjykim të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 10 vjet burgim. Balili akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave. "14 vite burg për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, 2.6 vite burg për akuzën e grupit kriminal, gjashtë muaj për fshehje pasurie dhe pesë vjet për pastrim parash. Ne total Klement Balili dënohet me 15 vite burgim dhe me aplikim të gjykimit të shkurtuar Balili dënohet me 10 vjet burgim”, u shpreh trupi gjykues.
Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje.
(Klement Balili gjatë kohës që gjyqtarja lexonte vendimin e dënimit)