Ndeshja e 24 marsit 2017 mes Italisë dhe Shqipërisë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos. Lajmi është zyrtarizuar ditën e sotme që kjo sfidë të luhet në këtë qytet.
Lajmi është konfirmuar edhe nga ana e FSHF-së që shkruan. “Ndeshja e radhës e skuadrës tonë kombëtare kundër Italisë, do të luhet në Palermo. Lajmi është konfirmuar sot në drekë. Takimi Itali- Shqipëri, i programuar sipas shortit për tu luajtur më datë 24 mars 2017, do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera”. Kjo është e hera e parë që këto dy skuadra kombëtare, do të ndeshen zyrtarisht me njera tjetrën. Shqipëria dhe Italia, në nivel ekipesh kombëtare janë ballafaquar vetëm njëherë, në një miqësore të zhvilluar në Gjenovë në nëntor të vitit 2014” thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare.
Shqipëria dhe Italia janë ndeshur vetëm njëherë me njëra-tjetër në një sfidë miqësore ku triumfoi kombëtarja “axurre”. Tashmë të dyja ekipet janë në Grupin G, për eliminatoret e kampionatit botëror “Rusi 2018”.