INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrëfimi i Jetmir Olldashit: E vërteta e përgjimit

Rrëfimi i Jetmir Olldashit: E vërteta e përgjimit

Publikuar më: 17:21 22-05-2018

Ditën e sotme në emisionin më të ri radiofonik “Sokol Balla Live” në IN Radio 105.7 është bërë një lidhje e drejtpërdrejt telefonike me gazetarin Jetmir Olldashi, i cili së fundmi është komentuar gjerësisht nga mediat lidhur audio-përgjimin.

Investigimi i bërë nga gazetari Olldashi shkaktoi shumë zhurmë mes dy forcave politike. Prej ditësh nga të dyja kampet politike kanë ardhur reagime të shumta, por për Olldashin ky ka qenë thjesht një investigim në lidhje me informacionet se në qytetin bregdetar të Vlorës, pazaret e drogës mund të bëheshin lehtësisht.

Ai rrëfen në “Sokol Balla Live”, se fillimisht ishte skeptik se droga mund të gjendej “sheshit” në këtë qytet, por që fatkeqësisht sipas tij rezultoi se jo vetëm ishte e qartë, por në të ishin të përfshirë shumë emra.

Për më shumë shikoni intervistën e mëposhtme:

Jetmir Olldashi : Nuk mendoja se do shkaktoja kaq shumë rrëmujë apo të paktën nuk u nisa për të shkaktuar kaq shumë rrëmujë.

Sokol Balla: Është ajo që the në atë deklaratën tënde, je gjendur në mes të një përplasje politike ku secili kërkon të marri, apo të japi sa më shumë kështu që deri diku është e pritshme.

Jetmir Olldashi: Që palët përpiqen ta përdorin, këtë që kam bërë unë edhe sigurisht që në fund e ha unë nga kjo histori! Ka një lançim shumë të fortë mediatik nga disa media, të cilat kanë filluar të merren me jetën time personale.

Sokol Balla: Media afër qeverisë?

Jetmir Olldashi: Nuk mund te them, se ka shume media qe janë afër qeverisë, por kanë qenë korrekt, mund të diskutojnë atë që unë kam bërë, nëse është e mirë e gabuar, nëse është cilësore, jo cilësore, patjetër të gjitha këto janë të diskutueshme, por që të merren me jetën time personale nuk është… mendoj se është i ndarë kufiri mes publikes dhe privates.

Sokol Balla: Të siguroj që zakonisht kur bën diçka që thyen rregullin që prish radhën që del nga e zakonshmja që shkakton debat, duhet të përgatitesh për këto Jetmir. Është pjesë e punës tonë po unë, për aq sa më takon mua të them, vetëm vazhdo punën dhe mos u shqetëso shumë nga kjo. Por ama sigurisht, e vetmja gjë që unë zakonisht refletoj në profesionin tim, kur ka diçka që shkakton reagime, sulme e kundërsulme, ti e di?! Shqiptarët në përgjithësi dhe gjithë bota nuk ta falin kollaj suksesin, por ideja është të reflektojmë nga ana jonë profesionale, për ta bërë punën tonë sa më mirë dhe për të shmangur të gjitha gabimet apo pasaktësi që ne bëjmë në punën tonë dhe unë kam një punë të drejtpërdrejtë për ty.

-I gjen vetes tënde ndonjë pasaktësi, ndonjë reflektim lidhur me punën tënde investiguese për dosjen Xhafaj?

Jetmir Olldashi: Patjetër gjej disa gjëra që mund t’i kisha bërë shumë më mirë!

Sokol Balla: Për shembull?

Jetmir Olldashi: Kisha dokumentuar qoftë edhe të kisha përdorur celularin tim, mos kisha pas gjithë besimin, të themi tek ato dy -tre pajisje që kisha, pasi e dija edhe cilësinë e tyre, unë mund të kisha vërtetuar faktin që jam këtu në filan vend, d.m.th ka disa gjëra që mund të ishin bërë më mirë.

Sokol Balla: Këto pasaktësi që ti i pranon, kanë ndikuar në thelbin e asaj që ne kemi parë dhe dëgjuar nga ky video-përgjim dhe audio-përgjim nga Jetmir Olldashi?

Jetmir Olldashi: Absolutisht aty ka të meta nga puna ime si gazetar, por që me atë që unë kam parë dhe me atë që unë mund të dëshmoj, po themi impresioni bindja faktike, gjërat që unë kam parë më sytë e mijë, bisedat që kam zhvilluar me trafikantët atje më kanë lënë përshtypjen që droga ishte sheshit, d.m.th mjafton që ti të kishe vullnet të rrije një ditë, dy ditë në Vlorë dhe ti e gjeje një ngarkesë.

Tani dua të jem i sinqertë kur unë u nisa drejt Vlorës, u nisa që të filmoja ndonjë magazinë ndonjë ambient të mbushur me kanabis, se e kam theksuar edhe herë tjetër, për shkak të faktit që situata ishte e tillë, që prokuroria e krimeve të rënda kishte sekuestruar 3.7 ton kanabis dhe mendoja që në njëfarë mënyre krimi duhet të ishte strukur disi, nuk duhet të ishte “sheshit” dhe këtë u nisa unë të bëja nuk është se u nisa të bëja ndonjë gjë tjetër...

Sokol Balla: Pra ti kur u nise, në fokusin tënd nuk ishte “Xhafa junior, Xhafa signor” ?

Jetmir Olldashi: Jo jo, absolutisht jo! D.m.th burimi im më kishte folur për zotërinë, për Agron Xhafajn, por më kishte folur edhe për personazhe të tjerë vëllezër, kushërinj, personazhe të jetës publike dhe në raste të tilla ne si gazetarë na udhëheq skepticizmi.

Unë bindjen e parë për rastin e krijova në rastin që shkova vetë në lokal bashkë me zotërinë dhe pashë që kishte afrimitet.

Sokol Balla: Pra kishte afrimitet mes Veliut dhe Xhafajt?

Jetmir Olldashi: Unë nuk e kam parë takim mes Xhafajt dhe Veliut, kam parë vetëm takimin e Veliut me stafin e lokalit, d.m.th në momentin që ne shkuam duke pirë një kafe atje..

Sokol Balla: Aty thuhet se djali i tij ka punuar aty apo jo?

Jetmir Olldashi: Po ka punuar.

Sokol Balla: Jetmir Olldashi kam një pyetje. Ti vetë nga ato që pe dhe dëgjove a mund të vendosësh jo thjesht një bindje intuitive, se intuita në profesionin tonë ka në rol të jashtëzakonshëm, por ama është intuita që na çon tek faktet. Nga intuita tek faktet a ka distancë për sa i përket përfshirjes së Agron Xhafës në këtë lloj biznesi ilegal?

Jetmir Olldashi: Çështja është se unë nuk kam fakte konkrete, për pjesën që zoti Veli ka shkuar ka biseduar me Agron Xhafajn , d.m.th kam qenë në distancë, në lokalin përballë. Kjo gjë më bën të kem dyzimin tim mes intuitës dhe fakteve sepse në fund të fundit gazetaria do fakte.

Nëse më pyet për fakte kjo është përgjigja, nëse më pyet për bindje intuitive unë mendoj që gjendja në Vlorë është e rëndë edhe nëse ka qenë i përfshirë vëllai i ministrit edhe nëse nuk ka qenë, për mua nga pikëpamja që e shoh un, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që në një qytet të Shqipërisë situata ishte jashtë kontrollit për mendimin tim, jashtë kontrollit të forcave të rendit, sepse policët nuk janë thjeshtë për të ruajtur trafikun edhe për të ruajtur thjeshtë qetësinë publike dhe marrëdhëniet mes njerëzve janë edhe për të luftuar krimi, e cila është detyra parësore.

Sokol Balla: Megjithatë Jetmir kishte një lëshim të vullnetshëm të situatës apo forcat e rendit dhe sigurisë janë të pafuqishme përballë krimit atje?

Jetmir Olldashi: Unë mendoj të patën nëqoftëse do i referohemi situatës së qeverisë Rama nga 2013 e deri tani ka pasur më shumë PR sesa veprime konkrete në terren dhe mendoj e njëjta gjë vlen edhe për policinë e shtetit, pra ka pasur gjithmonë, duke thënë ndryshuam policinë bëmë etj etj.. por është akoma e njëjta polici që ishte në 2004 kur ishte Fatos Nano kryeministër dhe e njëjta polici që ishte në 2012 kur Sali Berisha ishte kryeministër.

Sokol Balla: Pra nuk ka një ndryshim cilësor në punën e policisë thoni ju?!

Jetmir Olldashi: Po nga pikëpamja profesionale, pastaj në rastet e fundit kemi akuza konkrete se nuk duhet të anashkalojmë faktin që disa prej ish-drejtorëve të Vlorës janë në kërkim që do të thotë se aty polica ka qenë e implikuar me krimin.

Sokol Balla: Jetmir megjithatë thash se thelbi që ti u bërë objekt diskutimi dhe bisede nuk është fakti që ti vërtetove apo rivërtetove faktin që kanabisi vazhdon edhe nëse nuk mbillet, ka sasi të mëdha të magazinuara, të cilat trafikantët duan me patjetër t’i nxjerrin jashtë në një mënyrë apo në ndonjë tjetër për të nxjerrë fitimet e munguara, por mbetet implikimi i Ministrit të Brendshëm në këtë çështje.

Po lexoj shumë portale edhe nga ato portale dhe nga ato që nuk janë shumë simpatik me qeverinë të cilat në intervistën tënde që ke dhënë mbrëmë që të paktën edhe këto gazetare apo faqe online që janë kritike me qeverinë e kanë interpretuar mënyrën sesi ti ke folur sikur në njëfarë mënyre ti nuk i ke dalë garant audio-përgjimit, mbi bazën e të cilit opozita ka ngritur gjithë sulmin e saj të fundit.

Jetmir Olldashi: Tani ne duhet të flasim profesionalisht

Sokol Balla: Këtë po them edhe unë... dhe me sa të kam lexuar, madje këtë e kam thënë edhe në emisionin tim, ka qenë një interpretim i saktë profesional i asaj që ti vetë ke parë, ke bërë dhe ke dëgjuar, por nuk di të them që nëse interpretimi që të kanë dhënë disa prej këtyre faqeve që thonë që ti në njëfarë mënyre nuk i ke dalë garant këtij audio-përgjimi.

Jetmir Olldashi: Unë i dal garant gjithë punës gjithë qëllimi im, bërja publike,se nuk është se në një moment të caktuar unë nuk doja të përfshihesha më në këtë histori që të dilte që isha unë autori i historisë. Sepse kisha edhe një lloj parashikimi sesi do të shkonte kjo histori

Sokol Balla: Si ishte parashikimi yt?

Jetmir Olldashi: Që do të ndodhte kështu që mund të ndodhesha brenda një stuhie politike. Çështja është që unë jam përpjekur të tregoj edhe në emisionin tim të mbrëmshëm që unë isha nisur për të bërë një investigim. Nga ky investigim në pjesën faktike 99.9% unë kam qenë prezent është vetëm një pjesë prej 5 minutash që mungon që unë nuk kam qenë vetë prezent

Sokol Balla: Që është pjesa e bisedës së prezumuar mes Veliut dhe Xhafës apo jo?

Jetmir Olldashi: Po! Që unë nuk mund të rrezikoja të shkoja dy herë brenda të njëjtës ditë në një lokal që isha fytyrë e panjohur dhe duke marrë parasysh faktin që ato që thoshte ai mund të ishin të vërteta domethënë krijohet një situatë e rëndë dhe unë kur kam folur ,kam folur me fakte sepse unë nuk jam Prokuroria e Republikës që unë të them, “po unë besoj që ai është zëri i Agron Xhafajt ose jam i bindur që është Agron Xhafaj”, por sigurisht nga provat në terren unë nuk kam si ta mohoj këtë gjë nuk kam si të them nuk është ai.

Sokol Balla: Pra ti e ke parë në distancë takimin?

Jetmir Olldashi: Jo, takimi është bërë në lokal unë kam qenë tek lokali përballë, lokali është në katin e dytë, por edhe nëse unë do e kisha parë Agron Xhafajn nuk do ta njihja sepse unë për herë të parë e pash mbrapa kur ai doli në televizor, nuk e njihja si fytyrë, pra nuk isha në gjendja të verifikoja dhe të thoja është ky.

Sokol Balla: Pajisjet që është xhiruar përgjimi ja keni dhënë ju Albert Veliut?

Jetmir Olldashi: Po!

Sokol Balla: Pra përgjimet janë tuajat?

Jetmir Olldashi:Po

Sokol Balla: Dhe pastaj përgjimin bruto ju e keni? Ja keni dhënë këtij personi, e keni çuar tek PD, çfarë ka ndodhur që të kuptojmë, produkti që doli nga PD-ja i filtruar i montuar, nga erdhi si erdhi?

Jetmir Olldashi: Unë e kam mbajtur për disa muaj vetë materialin duke mos qenë në gjendje që t’i jepja një drejtim se çfarë do të bëja.

Sokol Balla: Pra nuk ka pasur një ndërhyrje politike, koordinim me partinë demokratike për këtë përgjim?

Jetmir Olldashi: Jo! Unë i kam çuar materialet tek PD-ja dhe nuk kam pasur fare dëshirë të bëhesha publik, në momentin që mediat pranë qeverisë hynë duke thënë kush është gazetari që e ka bërë atëherë dola unë.

Sokol Balla: Ndoshta të njohën nga zëri gjatë intervistës me Veliun?

Jetmir Olldashi: Ndoshta sepse edhe atë intervistë, kur shkova tek PD-ja, shkova sepse doja ta bëja për emisionin tim nuk shkova për ta bërë për llogari të PD-së.

Sokol Balla: Si përfundoi në dorë të atyre pastaj?

Jetmir Olldashi: Sepse u bë atje. Zoti Veliu kishte shkuar tek PD-ja dhe ata më thirrën të shkoja atje, më thanë pranon të intervistohet vetëm nga ti. Ishte ora 3-4 e mëngjesit dhe unë nuk është se kisha kamera me vete dhe unë u thash prisni mëngjesin, por ata më thanë që është urgjente, nëse do vish, duhet të vish tani dhe u thash që nuk kam kamera, thanë kemi ne kamera dhe unë shkova me mendje që unë do merrja unë intervistën dhe në mëngjes i kam thënë drejtuesit të emisionit Artur Çanit që ne e kemi ekskluzive intervistën e personazhit tim.

Sokol Balla: Nuk besoj se je ndjerë mirë që në njëfarë mënyre është përdorur puna jote apo jo?

Jetmir Olldashi: Jo nuk jam ndjerë i lumtur, fare, thjesht jam përpjekur të reflektoj shumë lidhur me këtë situatë dhe do përpiqem me gjithë shpirt që të bëj një investigim sa më të mirë në 2-3 muajt që vijnë që të korrigjoj të gjitha gabimet e mija që të mos kem asnjë lloj koordinimi me politikën dhe asnjë lloj mënyre për tu përfolur.

Punoi: Elton CARA

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0044131278991699