INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Debati i ashpër mes politikanëve dhe organizatave për takimet e LGBT në shkolla. MAS hesht

Debati i ashpër mes politikanëve dhe organizatave për takimet e LGBT në shkolla. MAS hesht

Publikuar më: 12:07 24-03-2018

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ashpër për faktin se persona të komunitetit të LGBTI po zhvillojnë takime me nxënësit në shkolla. Manjani s’do ta pranonte kurrë një shkollë të tillë për çunat e tij. “Të mos krijojmë Steriotipe”- thotë Ministrja e Arsimit. Shumë dakord jam! Të mos i lejojmë të krijohen, në asnjë shkollë! Ti ndalojë me gjithë forcën e ligjit çdo Gay; Lesbike; transgjinor apo të droguar që kërkon legalizim të bëjë propagandë në shkolla!”-reagon deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tij, janë këto “të veçantët” që nxisin krijimin e steriotipeve! “Ndaj nëse e duam shkollën pa steriotipe, duhet hequr shkaku! Në shkollë mësohet Matematika; Fizika; Kimia; Biologjia; Historia; Letersia; Gjuha e shkruar dhe e folur. Mësohet shkenca dhe përçohet dija. Pasi të kenë mbaruar me këto, le t’i lëmë të lirë të rinjtë të shijojnë në privatësi seksin, si e ku të duan!”-vijon Manjani. Ish-ministri thotë se nuk e kupton se “Ç’nevojë ka për propagandë?! Aq më tepër propagandë për seks pervers?!!”. Më tej ai këshillon sërish të rinjtë ndërsa thotë se as vet nuk do të lejonte që djemtë e tij të shkonin në shkolla të tilla. “Refuzoni çdo takim, bisedë apo debat, mbi çështje të tilla në mjediset e shkollës! Shkolla nuk ka asnjë punë me orentimin seksual! Nuk do ta pranoja kurrë një shkollë të tillë për çunat e mi!”-reagon Manjani. 

Por organizatat që merren me anti-diskriminimin e homoseksualëve e kanë konsideruar këtë si një sulm ndaj të drejtave të njeriut. Sipas organizata të LGBT, “Takimet janë pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit e se MAS duhet të marrë përgjegjësi”. “Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT po ndjekin me vëmendje se si për të disatën herë segmente të margjinalizuara të politikës shqiptare po dirigjojnë një sulm të shëmtuar ndaj të drejtave të njeriut”-thuhet në deklaratën e tyre. Për ta thirrja e ish-ministrit për mos tu bërë pjesë e takimeve, bëhet me qëllim për ta mbajtur shoqërinë të painformuar. “Ky sulm i përsëritur për përfitime të shpejta politike nga segmente të pandershme po i apelon një shoqërie që për fat të keq mbetet ende e painformuar. Që sulmi i koordinuar të ketë efekt, gjuha që po përdoret është gjuhë që synon të përhapë panik dhe frikë”- reagojnë organizatat duke i konsideruar të dështuar politikanët që po i sulmojnë. “Ky është një sulm jo vetëm ndaj organizatave LGBT, por një strategji që synon të keq informojë publikun dhe t’u sjellë përfitime disa politikanëve që sa kohë kishin mundësi ta bënin më të mirë këtë vend kanë dështuar. Nuk është hera e parë që politikanë si Z. Ylli Manjani, ish-Ministër i Drejtësisë që duhet të ketë njohuri mbi të gjitha konventat e ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, përfshirë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, dalin hapur kundër të drejtave LGBT. Nuk është as për Tritan Shehun hera e parë kjo. Ai dikur, në kohën e organizatave rinore të partisë kishte kauzë sulmin ndaj kishave dhe xhamive. Sot përdor si kauzë sulmin ndaj të drejtave të njeriut. Në vetvete kauza është e njëjtë, targeti dhe mjetet ndryshojnë. As Znj. Mesila Doda nuk e ka për herë te parë”-deklarojnë organizatat.
“Ajo që i lidh këta politikanë është fakti që janë të gjithë të dështuar, sepse nuk mbahen mend për asgjë veçse për dështimin e tyre. Por, neve kjo nuk na shqetëson. Ata me vetëdije kanë zgjedhur të mbijetojnë duke dështuar pambarimisht”.
Organizata të LGBT sulmojnë edhe Ministrinë e Arsimit për faktin se nuk ka regjura lidhur me këtë debat, ndërsa i këkrojnë asaj që të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon. Më tej LGBT shprhen se nuk hyjnë vjedhurazi në shkolla por sipas një plani të mirëpërcaktuar nga MAS.
“Çfarë na shqetëson në këtë histori është fakti se si Ministria e Arsimit refuzon të marrë anën e saj dhe përpiqet me çdo kusht të tërhiqet nga debati, ndonëse është në fakt institucioni kryesor për zbatimin e Planit Kombëtar të Masave për luftën ndaj diskriminimit të LGBT sanksionuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 25.5.2016 . I kujtojmë Ministrisë së Arsimit se ne nuk hyjmë as natën e as vjedhurazi nëpër shkolla, por këto takime zhvillohen në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri, strategji e miratuar nga qeveria shqiptare në qershor 2016. Qëndrimet mohuese të MAS në këtë rast tregojnë edhe njëherë se qeveria ka dështuar të përmbushë angazhimet që vetë ka ndërmarrë që prej dy vitesh”-shkruhet ndër të tjera në komunikatën e shpërndarë nga që merren me anti-diskriminimin e homoseksualëve.

Article Logic
Execution time: 0.0040969848632812