INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mustafa uron dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Mirënjohje vendeve që na përkrahën në këtë rrugë

Mustafa uron dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Mirënjohje vendeve që na përkrahën në këtë rrugë

Publikuar më: 13:01 17-02-2018

Ish-kryeministri i Kosovës, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka uruar qytetarët e Kosovës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Mustafa thotë se Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave dhe përkushtimit të paepur të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës. Duke e konsideruar lajm të mirë përmbylljen e procesit të demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë,  Mustafa ka vlerësuar edhe situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi dhe sfidat me të cilat përballet. “Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, përbën të arriturën më të madhe të popullit të Kosovës pas 100 vjet përpjekjesh të gjithanshme për liri. Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave dhe përkushtimit të paepur të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës, të artikuluara në nivelin më të lartë gjatë rezistencës gjithëpopullore të prirë nga Arkitekti i Pavarësisë, Ibrahim Rugova, e cila u pasua me luftën çlirimtare të prirë nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari”- shkruan Mustafa. Më tej ish-kreu i qeverisë thotë se Republika e Kosovës është sot shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 117 shtete dhe me perspektivë të qartë integruese në Familjen Evropiane dhe në NATO. “10 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën me të arritura evidente por edhe ngecje në disa drejtime. Por, vitaliteti, përkushtimi, atdhedashuria dhe vendosmëria e popullit të Kosovës janë garanci për një të ardhme më të mirë. Mirënjohje të posaçme për atë që kemi arritur meritojnë partnerët tanë euroatlantikë, SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike, pa përkrahjen e të cilave, Kosova nuk do të ishte ku është sot. Urime 10 vjetori i Pavarësisë! Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës!”-shkruan kreu i LDK-së.

Article Logic
Execution time: 0.0040409564971924