INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikthehet Ben Blushi. Çfarë paralajmëron?

Rikthehet Ben Blushi. Çfarë paralajmëron?

Publikuar më: 13:50 17-11-2017

Pas disa muajsh heshtje, që prej zgjedhjeve të 25 qershorit LIBRA, partia e drejtuar nga Ben Blushi qëndroi në heshtje. Pasi nuk mundi të marrë një mandat deputeti, edhe pse mori 20 mijë vota, duket se ka ardhur momenti që Ben Blushi të rikthehet në vëmendje të opinionit publik dhe politik. Në një analizë të situatës aktuale që po kalon vendi, LIBRA thotë se ka ardhur momenti i reagimit popullor kundër kësaj qeverie. Ndërsa LIBRA ka një lajmërim edhe për anëtarët e saj, duke njoftuar nisjen e një faze të re riorganizimi.
LIBRA:
“LIBRA ndjek me shqetësim dhe keqardhje zhvillimet e fundit në vend me bindjen se zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit jo vetëm nuk i dhanë zgjidhje problemeve të akumuluara, por përkundrazi i shtuan ato. Tashmë është e qartë me prova dhe fakte se shteti dhe politika nuk janë në funksion të qytetarit dhe ne jemi të ngushëlluar moralisht kur shohim se të gjitha të vërtetat që thamë janë duke u provuar. Shqipëria mbetet e zhytur në kënetën e politikës së saj anti-shtet.
Në këto kushte, Libra u bën thirrje të gjithë shqiptarëve për një moment reflektimi mbi atë që po ndodh ne Shqipëri. Për fat të keq shumë prej nesh janë të verbuar kur vjen puna për të parë gabimet tek vetja por le të ndalojmë mbi ketë gjë për një moment. Fatkeqësisht me gjithë blerjet dhe manipulimet, ka qenë vota e shumicës së shqiptarëve që ka vendosur që asgjë të mos ndryshojë. Shqiptaret inkurajuan me vota që krimi dhe politika të mos ndahen edhe për disa kohë. Shqiptarët nuk i ndëshkuan partitë e vjetra por i dhanë atyre edhe një mundësi të re për të konsoliduar fuqinë dhe influencën e tyre mbi ekonominë, drejtësinë dhe shoqërinë.
Por çmimi i votës natyrisht duhet përballuar. Dhe çmimi sot është i qartë për të gjithë: Shqipëria është më e varfër dhe më e pashpresë se një ditë përpara zgjedhjeve të 25 qershorit. Më shumë të rinj duan të largohen, më shumë oligarkë kanë zgjatur duart mbi pasuritë e përbashkëta, më shumë krim ka në fshatrat dhe qytetet tona. Kur politika bën keq,populli nuk duhet ta ndihmoje atë. Kjo është çështja që shtrohet sot për zgjidhje para ndërgjegjes së gjithsecilit prej nesh.
LIBRA beson se lufta me krimin nuk është dhe s’mund të jetë një betejë e disa partive kundër të tjerave por betejë e çdo qytetari që kërkon të mbrojë shtetin, pronën dhe dinjitetin e vet.
Nisur nga rezultati i zgjedhjeve por edhe nga bindja e vet,LIBRA ishte dhe mbetet një parti opozitare. LIBRA konkuroi në zgjedhje por nuk mundi të hynte në parlament për një sërë faktorësh. Ndër faktorët kryesoret është sistemi elektoral ekzistues, që favorizon vetëm partitë e vjetra duke u dhënë atyre mundësi të masin, peshojnë dhe numërojnë votat e kundërshtarëve të tyre. Krimi elektoral në Shqipëri është i sanksionuar dhe justifikuar me ligj. Por megjithë masakrimin elektoral LIBRA arriti të marrë 20 mije vota formalisht, dhe e gjitha kjo është një arritje e madhe për një parti të re, që kishte vetëm tetë muaj jetë. Ky rezultat që e rendit Libra si partinë e pestë me të votuar në vend është fryt i gjithë atyre burrave dhe grave të rinjve dhe simpatizantëve, kandidatëve dhe drejtuesve të saj të cilët bënë gjithshka për ta kthyer idenë e tyre në një force politike. Ata janë LIBRA dhe LIBRA do mbetet pronë e tyre.
LIBRA është mirënjohëse për kontributin e gjithsecilit, pa asnjë përjashtim dhe do vazhdojë të mbështesë dhe të ftojë gjithë shqiptarët e zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur nga dhuna verbale dhe administrative e partive të vjetra.
Për ta kthyer LIBRA në një fuqi politike dhe shoqërore e cila mbështet të varfërit, të rinjtë të pambështeturit dhe shtresën e mesme e cila inkurajon një shoqëri të hapur dhe liberale, ne kemi vendosur të hapim një fazë të re organizimi dhe rikoceptimi.
LIBRA, parti e hapur, kjo është dhe do të jetë motoja jonë e pandërprere. LIBRA ka vendosur të rishkruajë veten për t’u bërë gati për betejat e radhës.
LIBRA është krijuar nga liria dhe shkon drejt lirisë duke besuar se pushteti që nuk buron nga liria e gjithsecilit nuk është pushtet, por një tirani e përkohshme që duhet përmbysur me ndihmën e njerëzve të lire pa humbur shpresën se ata një ditë do jenë shumica.

Article Logic
Execution time: 0.0038690567016602