INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tribut për mjeshtrin e madh të muzikës së filmit, Ennio Morricone

Tribut për mjeshtrin e madh të muzikës së filmit, Ennio Morricone

Publikuar më: 16:26 27-05-2018

Gjeni, legjendë, etj. tituj të cilët ndonjëherë duken të pamjaftueshëm për të.


Tashmë 89 vjeç, Ennio Morricone ose ndryshe MJESHTRI/MAESTRO (kështu do t’i referohem në pjesën më të madhe të artikullit) i muzikës së filmave ka mbi gjysëm shekulli që kompozon për botën e kinemasë dhe televizionit.


Ai ka kompozuar kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve, shto këtu edhe punime për koncerte të ndryshme. Në 2007, Mjeshtri i Madh fitoi një çmim nderi në ceremoninë e Oscar-ve për “kontributin e tij të mrekullueshëm dhe multidimensional në artin e muzikës së filmit”.


Në 2016, mbas kaq shumë vitesh pune të pakontestueshme, Morricone më në fund fitoi Oscar për muzikën në filmin “The Hateful 8” nga Quentin Tarantino.
Emocionet në momentin e dorëzimit të çmimit ishin tepër të forta dhe personalisht, mu mbushën sytë plot teksa shihja mjeshtrin e përlotur dhe të përulur para publikut. Fjalëpak, me kokën poshtë, falenderon Tarantinon dhe gjithë stafin, por mbi të gjitha, çdo gjë ja dedikon gruas së tij Marias, dhe tërhiqet. Asnjëherë pre e glorifikimit Hollywoodian dhe jetës së luksit, Maestro është një Italian i vërtetë i cili di vetëm disa fjalë në anglisht dhe që kurrë nuk pranoi të braktisi shtëpizën e tij të thjeshtë në Romë për t’u bashkuar me “elitën” në lagjiet e tyre me vila super të shtrenjta në Amerikë.


Oscari i 2016-ës, ishte momenti që më bëri të kuptoj që jemi me fat që kemi lindur në kohën e këtij Mjeshtri, që kemi mundur t’a jetojmë madhështinë e tij e cila do t’i mbijetojë gjithmonë kohës.
Po e lë fjalimin e tij këtu në rast se e keni humbur e doni t’a shihni apo rishihni (unë e ripashë dhe QAVA përsëri):

 

Gjithçka ai ka bërë është brilante, por këtu keni një listë të 10 filmave me kolonat zanore më të famshme, për t’jua bërë të dielën më të bukur.

 

A Fistful of Dollars (1964)


Dashamirësit e filmit shohin Clint Eastwood në personazhin e tij kompleks “burri pa emër” për herë të parë në ‘spaghetti western-in’ e Sergio Leones. Për këtë lloji të ri anti-heroi, Morricone kirjoi një lloji të ri kolone zanore – me zëra meshkujsh, kitara spanjolle, fishkëllima dhe këmbana. Kjo punë ishte katapulta e mjeshtrit në botën e muzikës së filmit.

 

The Good, the Bad and the Ugly (1966)


Filmi i tretë pas ‘A Fistful of Dollars’ dhe ‘For a Few Dollars More’, në atë çfarë quhet ‘Triologjia e Dollarëve’. Mund të themi se muzika e këtij filmi është më e famshmja e maestros, muzikë e cila kombinon klasiken me kitara elektrike dhe vokale tepër dramatike të cilat përfaqësojnë ulurimat e kojotave.

 

Once Upon a Time in the West (1968)


Një histori epike me të gjithë ingredientët e duhur – një i huaj misterioz (me harmonikë), një desperado famëkeq, një vejushë e bukur në rrezik dhe një vrasës i pamëshirshëm. Kjo kolonë zanore me tinguj harmonike dhe vokale ka qenë një ndër komponentët kryesor që i dha titullin ‘klasik’ëestern-in brutal të Sergio Leones.

 

Maddalena (1971)

Nuk ka shumë njerëz të cilët e kanë parë këtë film, por Morricone ka prodhuar dy nga punët e tij më të mira për të – ‘Come Madalena’ dhe ‘Chi Mai’ që theu rekordet në Britani pasi u përdor në një serial të BBC-së.

 

Once Upon a Time in America (1984)

 

Harmonikë, vokale dhe fishkëllima në pjesën fituese të çmimit BAFTA për muzikën më të mirë në sagën epike të Sergio Leones për gangsterrët hebrenjtë në New York.

 

The Mission (1986)


Kolona zanore e nominuar për Oscar e Maestros shkrin kore të stilit barok dhe daulle tribale për të sjellë frymën e përplasjeve të kulturave (spanjolle jezuite me indianët e Amazonës) në shekullin e 18-të. Robert de Niro dhe Jeremy Irons kanë dhënë performanca shumë të mira por kinematografia dhe kolona zanore rrëmbyen vëmendjen dhe meritat.

 


“Investigation Of A Citizen Above Suspicion” (1970)

 

Muzika e Maestros për satirën fituese të çmimit Oscar është një nga meloditë e tij më infektuese. “Duhet të shkruaja një lloj muzike për groteskun me pak ndjesi folk brenda,” shpjegon Morricone për Criterion.

 


Cinema Paradiso (1989)


Historia e shoqërisë së një djali të vogël me një punonjës kinemaje nga Giuseppe Tornatore, ka qenë frymëzim për disa nga punët më të ndjera dhe melodike të Maestros. Kolona zanore, e kompozuar nga Morricone në bashkëpunim me djalin e tij Andrean, fitoi çmimin BAFTA në 1990-ën.

 

The Legend of 1900 (1998)


Kolona zanore e Morricones është jeta e filmit, që flet për një pianist i cili të gjithë jetën e ka kalaur në oqean (laujtur nga Tim Roth). Maestro prej këtij filmi fitoi një Golden Globe për muzikën më të mirë.

 

Malèna (2000)


Morricone krijoi një pjesë që të dhuron një ndjesi të hidhur (sigurisht në linjë me historinë) për një tjetër film të Tornatores me në rol kryesor Monica Belluccin. Kjo kolonë zanore i siguroi mjeshtrit të madh nominimin e tij të pestë për Oscar për muzikën më të mirë.

 

Nga Dafne Bajraktari

Article Logic
Execution time: 0.0040090084075928