Akademia e Shkencave është vënë në fokus të politikës dhe opinionit publik për shkak të procesit të zgjedhjes së drejtuesve të rinj të këtij institucioni. Vendimi i kryeministrit Rama për ti prerë fondet ka sjellë dhe reagimin e ashpër të kreut të grupit parlamentar të LSI Petrit Vasilit. Në një status në facebook Vasili thotë se gjatë mandatit të parë Rama nuk bëri asgjë për reformimin e këtij institucioni.
Petrit Vasili
“Kryeministri parazitoi katër vjet, tani u kujtua për Akademinë e Shkencave.
Kryeministri i ri nuk po lodhet së diskredituari kryeministrin e vjetër të zgjedhur në 2013-n. Kryeministri i vjetër, si turist i thekur që ishte, nuk pati asnjë minutë kohë për të humbur me reformimin e Akademisë së Shkencave. S'pati asnjë minutë kohë as të lexonte çfarë sugjeroi komisioni i ngritur prej tij në 2013-n, për reformimin e akademisë.
Katër vjet vegjetoi kryeministri i vjetër dhe tani u ngrit ky kryeministri i ri dhe po i tregon vendin atij shkollëpaktit, që e la reformimin e akademisë në mes të udhës. Kryeministri u kujtua vetëm ditën e zgjedhjeve dhe e kërcënoi me rrethim, me nxjerrje nga godina dhe me heqje të parave.
Çdo shfajësim për këtë parazitizëm shtetëror kryeministror katërvjeçar është turp, vizion që urren shkencën dhe inkuizicion obskurantist mesjetar”.