Katër të rinj janë plagosur në një aksident të rëndë që ka ndodhur në orë te para të së martës në Tiranë. Mësohet se automjeti ku ndodheshin dy vajza dhe dy djem është përplasur në rrethrrotullimin, pranë qendrës tregtare “TEG”.
Mjeti tip “Benz” me targë AA 233 VG, drejtohej nga 28-vjeçari nga Tepelena, Florid Sina, i cili ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin anësor të rrethrrotullimit.
Përplasja ka qenë e fuqishme, ndaj Sina ka mbetur i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Edhe 20-vjeçarja Xhesjana M. nga Përmeti ia ka hedhur paq aksidentit, pasi fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në reanimacionin e spitalit të Traumës ndodhet në gjendje të rëndë 20-vjeçarja nga Pogradeci, Era R., edhe kjo studente në Tiranë si vajza tjetër.
Edhe Altion Agalliu, 27 vjeç nga Tirana, ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë. Agalliu është larguar vetë nga vendi ku ndodhi aksidenti, por mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, ai është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Policia i ka bërë drejtuesit të mjetit testin e alkoolit, nga ku ka rezultuar se ai nuk kishte konsumuar pije alkoolike, ndërsa dyshohet se shkak për këtë aksident është bërë shpejtësia tej normave të lejuara.