Në Shqipëri po vihet re një ndarje gjinore përsa i përket degëve të studimit.
Degët që preferohen më shumë nga studentët shqiptarë janë profilet shoqërore dhe ato të edukimit. Sipas të dhënave të INSTAT, degët si bujqësia peshkimi, inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, preferohen më pak dhe kryesisht nga djemtë.
Sipas një publikimi të INSTAT mbi barazinë gjinore në Shqipëri, fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat, është ajo e shëndetit dhe mirëqenies në të cilën 78,9 % e studentëve të diplomuar janë vajza, ndjekur nga ajo e arsimit me 77,7 % të studentëve të diplomuar vajza, dhe arte dhe shkenca humane (74,2 %).
Ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve ku konkretisht 71,1 % e të diplomuarve janë djem, ndjekur nga inxhinieri, prodhim dhe ndërtim me 61,7 % të të diplomuarve djem, si dhe teknologjia e informacionit me 56,3 %.
Gjatë vitit akademik 2017/18 në arsimin e detyruar u diplomuan 37 mijë nxënës nga të cilët 51,1 % ishin djem dhe 48,9 % vajza. Në këtë vit akademik, ka një ulje të vogël të numrit të nxënësve që marrin diplomë të arsimit të mesëm, krahasuar me vitin paraardhës.
Ndërsa numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2017/18 ishte 34 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 63,3 %. Numri i të diplomuarve vajza në krahasim me një vit më parë ka rënë me 4,1 %.
Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza.