Kryetari i PD, Lulzim Basha pas takimit në Tiranë, shkoi në Durrës sërish për biznesin. Kryefjala në këtë takim ishte dhe largimi i të kualifikuarve nga vendi drejt shteteve anëtare të BE. “Të kualifikuarit janë të parët që largohen nga Shqipëria. Inxhinierë, profesionistë, që sapo u jepet mundësia, largohen. Më thanë një gjë të tmerrshme dje pedagogë të mjekësisë, që vitin e dytë studentët mësojnë edhe gjermanisht, me idenë që për tre vite të jenë eficentë në gjermanisht që sapo të mbarojnë shkollën, pastaj të nisen drejt Gjermanisë. Problemi ka marrë dimensione shumë të mëdha. Ne sot kishim gjermanët në tryezë, të cilët kanë përvojën më të mirë në Europë atë të trajnimit dual, gjysmën e merr në shkollë profesionale, gjysmën në biznes”, tha Basha. Para durrsakëve ai prezantoi dhe shtyllat kryesore të programit të PD për ekonominë. “Ne prezantojmë taksë të sheshtë 9%, ulje me 300 lekë të vjetra karburantin, eliminimi i taksës “Rama” për karburantin”, tha ai.