INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha pohon se PD gaboi, por për çfarë?: Ata dështuan por edhe unë nuk ia dola

Basha pohon se PD gaboi, por për çfarë?: Ata dështuan por edhe unë nuk ia dola

Publikuar më: 10:56 29-04-2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pranoi para Kuvendit Kombëtar se opozita nuk ja doli dot të të ndalte një herë e mirë politikën nga krimi. Basha sulmoi qeverinë Rama duke deklaruar se “PO, ata kanë dështuar, por edhe ne nuk ja dolëm. Ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë ti çonim para drejtësisë”-tha kreu demokrat. Por lideri i opozitës thotë se kjo nuk do të ndodhë; Kurrë më! Me tej Basha sulmoi qeverinë dhe foli për qeveri të kapur nga korrupsioni dhe krimi. Por kreu demokrat tha se situata duhet të ndyshojë pasi kuksianët mbahen në burg ndërsa Tahiri është i lirë.

Lulzim Basha
Sot në këtë sallë, dhe si në cdo vend tjetër anembanë Shqipërisë, mblidhemi në një orë kritike për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë. Dhe le t’i themi gjërat troç. Të gjithë e dimë se punët shkojnë keq, se shoqëria është e shpartalluar, se ekonomia është katastrofë dhe se politika i ka zhgënjyer njerëzit. Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo nuk do ta harrojë se shpëtimi i saj nuk është thjesht punë partie. Shpëtimi i saj është shqetësimi dhe detyra për të gjithë ne këtu. Ne sot mblidhemi nën hijen e një qeverie e cila e ka shkatërruar ekonominë, ka shkatërruar sistemin tonë arsimor, ka zhdukur konkurrencën e lirë, ka vjedhur taksat dhe paratë publike, ka rrënuar shëndetësinë, ka plaçkitur qytetarin për të pasuruar oligarkun, ka demoralizuar brezin e ri, ka mbushur vendin me drogë, ka futur kriminelët në zyrat e shtetit, ka shkretuar Shqipërinë duke detyruar qindra e mijëra familje shqiptare të marrin rrugën e mërgimit. Kjo qeveri ka kaluar pushtetin në duart e bandave dhe të oligarkëve, ka braktisur njerëzit, ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale e cila vetëm qytetarëve nuk ju shërben. Ne sot kemi një qeveri që ngriti sistemin më të sofistikuar të shitblerjes së votës, një qeveri që vuri kriminelët në krye të shtabeve elektorale. Por ne nuk duhet të biem në rehati nga justifikimet. Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: PO, ata kanë dështuar – por edhe ne nuk ja dolëm.
Ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë ti çonim para drejtësisë. Por në këtë Kuvend të madh kombëtar, duke lënë pas humbjen dhe zhgënjimin, le ta shikojmë sot njëri-tjetrin në sy dhe të themi njëzëri: KURRË MË!! Ja ku jemi bashkë me mijëra demokratë, të gatshëm për te nisur një tjetër rrugëtim te madh dhe te sukseshëm për Partine Demokratike dhe për Shqipërinë europiane. Plot besim tek vetja, por mbi të gjitha plot besim tek vlerat dhe tek vizioni që ne ndajmë me njëri tjetrin. Sot e gjithë Shqipëria pret nga ne. Është një pritje e thellë në kufijtë e dëshpërimit. Sepse këto nuk janë kohë të mira për Shqipërinë. Unë kam udhëtuar këtë periudhë në çdo cep të Shqipërisë: Kudo kam parë pasigurinë e nënave për bukën e fëmijëve Kam parë frikën e të rinjve për të ardhmen. Kam parë dëshpërimin e baballarëve që nuk gjejnë punë. I kam parë shqiptarët të braktisur dhe të vetëm përballë fatkeqësive të natyrës. I kam parë të rropaten për të mbajtur frymën gjallë. Por i kam parë edhe me mosbesimin e tyre ndaj politikës. Me mosbesimin e tyre edhe ndaj nesh. Sepse nuk e dinë se çfarë ne mendojmë. Ose sepse propaganda i ka bërë të besojnë të pavërtetat për ne. Nëse ju duhen. Unë qëndroj sot para jush thellësisht mirënjohës, për mbështetjen tuaj. Kjo mbështetje ma ka bërë edhe më të madhe keqardhjen që nuk ia dolëm të ishim sot ne partia që drejton vendin. Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi, por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me qëllimin për t’i shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit—kam dëgjuar mendimet e tyre, kam pranuar kritikat e tyre, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen e tyre.

Article Logic
Execution time: 0.0032548904418945