INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkëpunim SHBA-Kinë ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut

Bashkëpunim SHBA-Kinë ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut

Publikuar më: 10:28 01-04-2016

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë bërë së bashku kundër kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti amerikan Obama.

Dy shtet e mëdha do të bashkëpunojnë së bashku për të parandaluar testime të mëtejshme të raketave dhe provave bërthamore.

Obama u takua të enjten para Samitit Bërthamor në Uashington me Presidentin kinez Xi Jinping. Presidenti amerikan tha se të dy vendet janë të interesuara ta shohin gadishullin korean pa armë bërthamore. Ndërsa, Presidenti Xi Jinping është cituar nga agjencia e lajmeve shtetërore kineze të ketë thënë se është e rëndësishme që të zbatohen sanksionet e vendosura ndaj Koresë së Veriut. Kina cilësohet si aleati më i ngushtë i Koresë së Veriut dhe është partneri më i madh tregtar.

Një zyrtar kinez tha se presidentët patën shkëmbim të sinqertë dhe të thellë të pikëpamjeve mbi një sërë çështjesh dhe arritën një konsensus të rëndësishëm. Ai e cilësoi takimin mjaft pozitiv, konstruktiv dhe të frytshëm.

Obama u zotua gjithashtu të punojë ngushtë me aleatët e SHBA, Korenë e Jugut dhe Japoninë. “Ne jemi të bashkuar në përpjekjet tona për të penguar dhe për t’u mbrojtur kundër provokimeve të Koresë së Veriut”, tha ai.

Javët e fundit, Koreja e Veriut testoi bombën me hidrogjen, ndërsa në mënyrë të përsëritur ka testuar raketa me rreze të gjatë veprimi, duke kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme perëndimin.

OKB-ja dhe Uashingtoni kanë miratuar sanksione të mëtejshme ndaj Penianit, për të cilat thuhet se janë hartuar në mbështetje të plotë edhe nga Kina.

Article Logic
Execution time: 0.0039098262786865