INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme marrëveshje për trajnimin e punonjësve të Policisë Bashkiake

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme marrëveshje për trajnimin e punonjësve të Policisë Bashkiake

Publikuar më: 15:29 05-02-2018

Nisi sot zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme “Për formimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë Bashkiake”. Kursi që do të zhvillohet në mjediset e Akademisë së Policisë do të zgjasë disa javë dhe synon të rrisë aftësitë profesionale të punonjësve në shërbimin ndaj qytetarëve. I pranishëm në ceremoninë e nisjes së këtij trajnimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj, tha se një nga detyrat më të rëndësishme të Policisë Bashkiake është mbarëvajtja e aksionit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit dhe formalizimit të tyre.

Ai shtoi se nuk do të tolerohet askush që vjedh ujin e pijshëm të qytetarëve, ndaj ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura deri më 28 shkurt, që të lidhin pa asnjë penalizim kontratat e reja me UKT. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, por sidomos atyre që janë biznesmenë dhe që e përdorin ujin e pijshëm për të fituar para, paguajeni sepse nuk do të ketë më tolerime. Deri në datën 28 shkurt, çdo qytetar ftohet të lidhë kontratë me UKT, jo vetëm në Tiranë, por në 61 bashkitë e Shqipërisë”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se deri më 28 shkurt do të vijojë fushata ndërgjegjësuese për konsumatorët familjarë, që të paraqiten pranë pikave të hapura të Ujësjellës-Kanalizimeve për të formalizuar lidhjet e tyre.

Veliaj theksoi se aksioni i ndërmarrë në rang kombëtar për disiplinimin e ujit të pijshëm ka mbështetjen e mbi 90% të qytetarëve dhe se Bashkia e Tiranës është e vendosur për t’i shkuar deri në fund ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme të ujit. “Mbi 90% e njerëzve në Shqipëri e do shtetin, e do vendin, e do Shqipërinë, e do Tiranën, dhe i paguan detyrimet. E kupton se vjedhja është diçka jo etike, jo e ligjshme, jo e ndershme. Për sa kohë që shumica e qytetarëve e do rendin, rregullin, shtetin, ligjin, e do uniformën, sepse te uniforma shikon garancinë e mbrojtjes së familjes së vet, unë them të jemi me shumicën. Në çdo vend ekziston një pakicë histerike, që për çdo vepër të zbatimit të ligjit fillon e ulëret. Por shtetet serioze dinë të bëjnë diferencën midis një minorance që bën zhurmë dhe një shumice që është e heshtur, por e ndershme dhe do që gjërat t’i shkojnë mbarë”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, prej disa ditësh në kryeqytet po kryhen verifikime për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme me fokus tek bizneset. “Kush lexon mediat ndërkombëtare, e kupton që betejat e së ardhmes, debatet e së ardhmes dhe, nëse doni ta quani, edhe luftërat e së ardhmes, nuk do jenë më për naftën, por për ujin, i cili është një nga produktet që ne e kemi me bollëk dhe që e abuzojmë në mënyrën më spektakolare. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës është renditur e para në mbështetje të nismës së kryeministrit për të menaxhuar gjithashtu sektorin e ujit, ashtu siç u bë me sektorin e energjisë elektrike”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi të patolerueshme situatën që dikush i cili shfrytëzon ujin e pijshëm për biznesin e tij, të vjedhë këtë pasuri të qytetarëve duke mos e paguar. “Askush nuk do të shohë dikë që arrestohet, ama, po ashtu, nuk është fare bukur që dikush që ka një hotel me 5 yje nuk paguan ujin dhe e vjedh atë, duke lënë familje të tëra pa ujë. Nuk ka asnjë arsye pse dikush që është biznesmen i fushës së ujit, në fakt, e vjedh ujin nga rrjeti, i vë një etiketë dhe e shet, e pastaj thotë jam gjynah. Jo nuk është gjynah, nuk mund të vidhet uji i pijshëm në një vend i cili ka kaq shumë nevojë, sidomos në qytetin tonë”, deklaroi Veliaj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në këtë aksion të përbashkët.

Krahas aksionit për ujin e pijshëm, Bashkia e Tiranës paralajmëron edhe disiplinimin e zhurmave që vijnë nga lokalet, duke ndarë zonat rezidenciale nga zonat e argëtimit. “E njëjta gjë ndodh jo vetëm me zaptimet e rrugëve, por edhe me muzikën e lartë. Ka ardhur koha që në Tiranë të kemi një diferencim shumë të qartë: ku janë vendet për aheng dhe ku janë vendet për fëmijët që duhet të shkojnë të flenë sepse nesër duhet të shkojnë në shkollë. Kemi filluar një proces me Ministrinë e Mjedisit, nën drejtimin e kryeministrit, për t’u siguruar që në qytetet tona edhe këto hapësira të sistemohen, duke i ndarë zonat rezidenciale nga zonat që janë për argëtim”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë, fakt që konfirmohet edhe nga statistikat. “Sa herë që flitet për çështje të rendit, qoftë nga Policia e Shtetit, qoftë nga Policia Bashkiake, kori i cinikëve, skeptikëve dhe ironikëve nuk ngurron asnjëherë të përbaltin punën e uniformave të shtetit. Ishte një krenari shumë e madhe teksa pashë se si Agjencia Europiane ‘Numbeo’, që bën një indeksim të të gjithë statistikave evropiane, e nxirrte Tiranën si një nga qytetet më të sigurta sot në Europë”, tha ai, teksa bëri të ditur se nëse tre vite më parë Policia Bashkiake kryente 7 ndërhyrje në ditë, tashmë ato kanë shkuar në 700, kurse telefonatat nga 10 në ditë, sot janë mbi 100 duke e çuar në vit në 36 mijë telefonata.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ky është tregues i rritjes së besimit tek Bashkia dhe Policia bashkiake. “Jo se Tirana ka më shumë probleme. Edhe skeptiku, edhe dyshuesi më i madh e di që sot gjërat janë më mirë, por njerëzit raportojnë aty ku kanë besim që gjëja do të zgjidhet. Në një derë që nuk hapet kurrë askush nuk troket, në një derë që është gjithmonë e hapur trokasin të gjithë, hyjnë të gjithë dhe marrin të gjithë shërbim”, tha Veliaj.

Drejtori i Akademisë së Policisë, Bilbil Mema ndërsa vlerësoi punën e bërë në kryeqytet u shpreh se kursi I trajnimit do ti jap punonjësve të Policisë Bashkiake aftësitë e duhura për tiu përgjigjur me nivelin e duhur të gjitha problematikave. “Është dita që policia e bashkisë po merr një kurrikul, po zbaton një program shumë të domosdoshëm për shërbimin e saj. Falenderoj kryetarin e bashkisë që është i pranishëm sot, pasi shumë punë janë bërë në Tiranë, por puna e sotme është shumë e rëndësishme për shërbimin që do t’u japim qytetarëve të Tiranës, një shërbim më të kualifikuar, më profesional”, deklaroi Mema.

Article Logic
Execution time: 0.0040690898895264