INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
BE: ONM-ja e përkushtuar për monitorimin dhe mbikëqyrjen skrupuloze të procesit të vetingut

BE: ONM-ja e përkushtuar për monitorimin dhe mbikëqyrjen skrupuloze të procesit të vetingut

Publikuar më: 18:31 08-02-2017

Bordi Menaxhues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) mbajti sot mbledhjen e tij themeluese për fillimin e monitorimit të rivlerësimit të anëtarëve të gjyqësorit shqiptar. Me anë të një deklarate për shtyp Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqiperi ka bërë të ditur rolin e bordit menaxhues të OMN, dhe përbërjen e tij. “Ndërsa do të kryejë një rol monitorues, Bordi Menaxhues i ONM-së nuk do të marrë asnjë vendim ekzekutiv. Të gjitha vendimet përfundimtare u takojmë autoriteteve kombëtare. ONM-ja është e përkushtuar për monitorimin dhe mbikëqyrjen skrupuloze të procesit të vetingut. ONM-ja do t’i kryejë detyrat e veta me profesionalizëm, paanësi dhe në përputhje me ligjin”-thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të delegacionit të BE-së. Bordi Menaxhues i ONM-së përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Takimi i mbajtur sot u kryesua nga zonja Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian.
“Bordi Menaxhues i ONM-së angazhon ekipe monitoruese të përbëra nga gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara. Ata do të monitorojnë procesin e krijimit të organeve të vetingut, si dhe rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjyqësorin shqiptar”-sqaron BE.
“Përfundimi i lehtë dhe i suksesshëm i procesit të vetingut do ta ndihmojë Shqipërinë që të trajtojë të metat në sektorin e drejtësisë. Gjithashtu, do t’i mundësojë vendit të përparojë në udhën e tij drejt integrimit evropian, në përputhje me rekomandimin kushtëzues të Komisionit Evropian të nëntorit 2016 për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Bordi Menaxhues i ONM-së pret me padurim zbatimin e mëtejshëm të kësaj pakete të reformës së drejtësisë, që ka potencial ta shndërrojë gjyqësorin shqiptar në një sistem plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe professional”-thekson OMN.

Article Logic
Execution time: 0.0036818981170654