INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
BIRN: Dallimi midis lajmit dhe të vërtetës

BIRN: Dallimi midis lajmit dhe të vërtetës

Publikuar më: 15:06 18-01-2016

Të shtunën Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes njoftoi se “revista prestigjioze The Economist, në numrin e saj të fundit ka botuar një artikull prej tetë faqesh, për Shqipërinë, apo sikurse e cilëson artikulli, vendin që udhëheq reformat në rajonin e Ballkanit”.

The Economist është me të vërtetë një revistë prestigjoze. Kushdo që e ka marrë një kopje të saj në dorë, e di se shkrimet aty zakonisht janë të shkurtra, ku dy apo tre faqe i kushtohen vetëm ngjarjeve me rëndësi botërore. Që ajo t’i kushtojë Shqipërisë tetë faqe, kjo do të thotë doemos se diçka e ngjashme me Luftën e Tretë Botërore duhet të ketë nisur nga Shqipëria. Mjaftuan pak sekonda, një vështrim në “reportazhin” e Economist për të kuptuar se në fakt, lajmi qe që Shqipëria ka paguar tetë faqe reklamë dhe jo se “revista ka bërë reportazh”. Mbi titullin e artikullit, gazeta ka shkruar “reportazh reklamë”. Kjo do të thotë se përmbajtja e informacionit aty është reklamë e paguar nga reklamuesi.

Por ndërsa u deshën pak sekonda për të lexuar se bëhej fjalë për reklamë, për shumicën e medias shqiptare, kaq sekonda mjaftuan për të ripublikuar njoftimin me titullin e vetë njoftimit: “The Economist: Shqipëria, lider i reformave në rajonin e Ballkanit”. (Kliko këtu për të lexuar njoftimin për shtyp). Kontrasti qe i madh pasi ndërsa media e ripublikoi njoftimin e Ministrisë si konkluzion të The Economist, një numër i stërmadh gazetarësh përdorën median sociale për të informuar njerëzit se ka një dallim mes një lajmi dhe një reklame. Dallimi është që përmbajtjen e reklamës e përgatit reklamuesi, jo gazeta. (Kliko këtu për të lexuar shkrimin reklamë të publikuar te The Economist)

Kur media nuk ka mundësi të gjykojë në mënyrë kritike mbi njoftimet për shtyp që merr, por mjaftohet vetëm me ripublikimin e tyre ashtu siç janë, ky është një sinjal katastrofe në vetvete.

Reklamë e dobët

Vetëm pasi shqiptarët filluan të tallen me artikullin reklamë dhe opozita kritikoi qeverinë për “shpërdorim fondesh”, qeveria bëri një deklaratë të dielën ku tha se reklama i kishte kushtuar taksapaguesve 36 milionë lekë (257 mijë euro). Megjithatë, parvarësisht se u pranua se kemi të bëjmë me reklamë dhe jo shkrim, qeveria vijon të këmbëngulë se reklama e paguar prej saj përbën në një farë mënyre edhe një formë gjykimi nga The Economist për realitetin e vendit tonë. “”The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund te publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj,” tha qeveria.

Në fakt, as kjo nuk është e vërtetë. Reklama, në rastin konkret, është përgatitur nga një agjenci marketingu e quajtur Quantum Productions. Në faqen e saj në internet, ajo thotë se është e specializuar në paketa të ngjashme në revistën në fjalë, si dhe gazetën “Financial Times” dhe “El Mundo.” Reportazhi përmban pak fakte dhe shumë opinione pozitive për punën e qeverisë, kryeminstrin Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij. Ai e përshkruan Shqipërinë si një “lider të reformave në Ballkan,” dhe Edi Ramën si “i pari Kryeministër që po reformon dhe modernizon realisht vendin. ” Publikimi i një artikulli të sponsorizuar në median ndërkombtare nuk është një risi për qeverinë shqiptare dhe as për ato të rajonit, të cilët në mungesë të rezulateve të prekshme në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian, nuk e mendojnë dy herë t’i shpenzojnë paratë e mbledhura nga taksapaguesit e tyre të varfër për të paguar kompani të shtrenjta marketingu, të cilat i sigurojnë një hapsirë mediatike për atë përdorur për qëllime propagande.

Por reklamuesit e qeverisë duket se nuk qenë lodhur shumë as për të bërë punën e tyre siç duhet. Propaganda qe paksa e ekzagjeruar edhe për standardet e vetë qeverive shqiptare. Sipas reportazhit reklamë, Shqipëria, jo vetëm që është lider në Ballkan, por ajo mund të ndihmojë Europën të ridashurohet me vlerat e saj. Dhe sipas Ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, “ne po shohim përpjekjet e para të industrisë së makinave për të themeluar veten në Shqipëri”.

Këto publikime, ndryshe nga sa pretendohet nuk kanë për qëllim të impresionojnë investitorët e huaj dhe as burokratët në Bruksel, të cilët janë mirë të informuar për situatën në Shqipëri e gjetkë në rajon dhe nuk i hedhin paratë e tyre në tym thjesht se lexojnë një reklamë të shtrenjtë dhe të shkruar keq. Ashtu si në të kaluarën këto publikime synojnë një audiencë dhe lexues lokal, për të cilin liderët tanë bësojnë që do të gënjehet nga ato që shkruan një revistë e huaj për kryeminsitrin apo ministrat e tij.

Në të gjithë këtë artificë që sado duket e storëholluar është po dhe aq budallaqe dhe e cekët, ideatori, klienti dhe shpërndarsi i reklamës në formë reportazhi, bazohet në një mjet letrar, atë të pezullimit të aftësisë për të mos besuar apo dyshuar nga ana e lexuesit, që sa do i varfër dhe i pakënaqur besohet se do ta lexojë revistën nga kopertina duke i marrë ato që thuhen në brendësi për qeverinë tonë si të vërteta.  “Pezullimi i dyshimit” është një term i krijuar nga poeti dhe filozofi amerikan Samuel Taylor Coleridge, që sugjeroi i pari që, në qoftë se një shkrimtar mund të fuste mjaftueshëm ngjashmëri të së vërtetës në një tekst të shkruar, lexuesi do ishte i prirur ta besonte atë, duke e pezulluar aftësinë e tij për të gjykuar, sado përrallë të jetë informacioni i dhënë. Kjo metodë shpesh përdor injorancën apo mosdijen e lexuesit për të arritur qëllimin e saj.

Edhe pse pezullimi i aftësisë për të mos besuar prezumon që barra për të dalluar të vërtetën nga përralla bie mbi lexuesin dhe jo me artikullshkruesin, media në Tiranë zor se mund të cilësohet si e paditur ndaj formave të tilla të reklamës. Edhe në qoftë se ka pasur dje në Tiranë ndonjë redaktor me memorie të shkurtër ose miop mjaftueshëm ndaj shënimit në çdo faqe të shkrimit që ky tekst ishte reklamë, kishte mjaftueshëm kolegë që e pasqyronin si të tillë në rrjetet sociale, sa është e vështirë të besosh që ne redaksitë tona nuk e dinin që ajo që po i shisnin lexuesit ishte një gënjeshtër e trashë.

Qeveria ka detyrim ndaj taksapagueve që t’i administrojë mirë paratë publike. Media nga ana tjetër ka detyrë ndaj lexuesve të saj që ta administrojë me kujdes fjalën dhe marrëdhënien e saj me të vërtetën. Qartësisht te dyja dështuan me publikimin e të ashtuquajturit reportazh, dhe ajo që e bën më të shëmtuar këtë dështim është mënyra korporative se si këto dy pushtete, që në thelb duhet të jenë të pavarura, arritën të sillen në formë dhe përmbajte si një dhe i vetëm. Ka në thelb diçka shumë jonatyrale në këtë marrëdhënie të medias me pushtetin në Shqipëri, dhe çdo ditë e më shumë ato i ngjajnë një çifti të palumtur ku secili nga palët nuk arrin më t’i shohë gabimet e veta.  Gazetarët ankohen që politika i dhunon, ndërsa politikanët ankohen që gazetarët i gënjejnë. Mbase ka ardhur koha që këta të fundit të vendosin pak distancë midis njëri-tjetrit, në mënyra që ta shohin veten ashtu si publiku i sheh ato. /Besart Likmeta BIRN

Article Logic
Execution time: 0.0038919448852539