Sheshi Nënë Tereza është mbuluar nga masat të veçanta, uniformat e shumta blu, forcat RENEA dhe qentë antieksplozivë.
Kjo për shkak të sinjalizimit që ka ardhur nga ambasada amerikane, sipas të cilës mund të ketë sulme terroristë për rastin e festës së krishterë. Kaq ka mjaftuar që policia e shtetit të vendoset në gatishmëri të plotë, duke shtuar masat e sigurisë jo vetëm në shesh, por edhe pranë kishave dhe institucioneve të ndryshme. Masat e rrepta të sigurisë janë shoqëruar edhe nga kontrollet intensive me qentë antieksploziv, mësohet nga Lapsi.al. Njoftimi i policisë bën me dije:
“Vijojnë masat e shtuara të marra nga Policia e Shtetit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Masa jo për panik, por për të krijuar një ambjent sa më të sigurtë për të festuar festën e Pashkëve”.
Forcat speciale RENEA dhe Shqiponja kanë qenë të pranishme në zonat e populluara nga besimtarët edhe gjatë natës së mbrëmshme, kur këta të fundit po kremtonin Pashkën.