Ulja e ndjeshme e temperaturave dhe reshjet e dëborës të rëna gjatë orëve të fundit ka shfaqur problemet e para në qarkullimin rrugor. Qarku i Korçës është ndër më të prekurit, ndërsa janë shfaqur problemet nga ngricat në qarkullimin e mjeteve në disa rrugë që lidhin Korçën me zona të tjera.
Akset nacionale janë të gjitha të kalueshme, por në disa segmente këshillohet përdorimi i zinxhirë.
Vështirësi në qarkullimin e makinave për shkak të ngricave ka në aksin Korçë-Kapshticë, Korçë-Liqenas dhe Korçë-Dogana e Goricës.
Akset turistike Korçë- Dardhë dhe Korçë-Voskopojë janë të qarkullueshme vetëm me zinxhirë.
Në Qafën e Qarrit, trashësia e borës arrin deri 7 cm. Në akset e tjera nacionale deri në 5 cm. Në Dardhë 20 cm dhe në Voskopojë 10 cm.