INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bushati apel shqiptarëve në Shkup: Votoni për emrin e ri të Maqedonisë

Bushati apel shqiptarëve në Shkup: Votoni për emrin e ri të Maqedonisë

Publikuar më: 16:45 13-09-2018

Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu mbështetjen për Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s. Pas takimit me homologun, Nikola Dimitrov, Bushati u bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë Pro Referendumit më 30 shtator si një marrëveshje me “rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”.
‘’Dëshiroj që në emër të shtetit shqiptar, t’i bashkohem gjithë zërave, gjithë miqve të vendit tuaj, duke ju bërë një apel e sidomos, shqiptarëve që jetojnë këtu, për të mbështetur marrëveshjen historike të Prespës, sepse kjo marrëveshje, pavarësisht se shpesh konsiderohet si një marrvëshje për zgjidhjen e çështjes së emrit ndërmjet dy vendeve, në fakt ka një rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe për perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike. Prandaj, dëshiroj më të mirën për vendin tonë fqinj, Maqedoninë, në datën 30 shtator.’’ tha Bushati.
Përpjekjet për stabilitetin në Ballkan nuk janë vetëm në Maqedoni dhe mes Kosovës dhe Serbisë pritet arritja e një marrëveshje përfundimtare ka shtuar Bushati.
‘’ Urojmë që ky dialog të sjellë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, një marrëveshje që do të shënonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet palëve dhe pse jo do ti hapte rrugën procesit të plotë të ripajtimit mes Serbisë dhe Kosovës’’ tha ai.
Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë Telat Xhaferri, ministri Bushati vlerësoi rolin e Parlamentit dhe faktorit politik shqiptar në mbajtjen e ritmit dhe dinamikës së reformave gjatë vitit të fundit.

Article Logic
Execution time: 0.0033040046691895