INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Debati për dialogun Kosovë-Serbi. Thaçi dhe Vuçiç takohen të enjten në Bruksel

Debati për dialogun Kosovë-Serbi. Thaçi dhe Vuçiç takohen të enjten në Bruksel

Publikuar më: 14:07 07-11-2018

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të presë më 8 nëntor në Bruksel presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandër Vuçiç. "Në takim, dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane", thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Mogherinit. Në shtator, një takim i thirrur nga Mogherini midis Thaçit dhe Vuçiçit dështoi pasi presidenti serb u tërhoq në momentet e fundit. Hera e fundit e takimit mes Thaçit dhe Vuçiçit ishte në Alpbah të Austrisë, ku dy liderët dolën publikisht me idenë për ndryshimin e kufijve, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Por kjo ide ka sjellë reagime të ashpra në Kosovë të cilat po reflektohen edhe në debatin parlamentar. Punimet e seancës parlamentare këtë të mërkurë nuk filluan me votimin e rezolutës për dialogun me Serbinë ashtu siç ishte parashikuar. Debati parlamentar për rezolutën që angazhon presidentin e Kosovës në dialogun mes dy vendeve ku përfshihet edhe opsioni për “korrigjim të kufijve” është shmangur. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se grupet parlamentare janë marrë vesh që të ketë harmonizim dhe një qëndrim të përbashkët në mënyrë që mos të ketë debat përçarës. Ndërkohë mësohet se partia Lëvizja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga rezoluta që kishte propozuar vetë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta e LDK synonte t’i kufizonte mandatin presidentit Hashim Thaçi për të negociuar me Serbinë për territorin e Kosovës.

Article Logic
Execution time: 0.0017309188842773