INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dega e PD Vlorë denoncon skandalin: “Emigrantët dhe “të vdekurit” firmosin peticion kundër Bashës

Dega e PD Vlorë denoncon skandalin: “Emigrantët dhe “të vdekurit” firmosin peticion kundër Bashës

Publikuar më: 11:24 12-07-2017

Firmosja e peticioneve kundër Lulzim Bashës po merr çdo ditë përgjigje nga degët e PD në rrethe. Pas Korçës edhe në Vlorë firmosja e peticionit ka marrë një goditje të fortë nga dega e PD në këtë qytetet. Mësohet se dega e PD-së në Vlorë ka telefonuar firmëtarët, e sipas saj 90% e të cilëve kanë mohuar firmat e tyre. Falsifikimi është i tillë, sipas PD-së së Vlorës, që në listën e firmëtarëve është përfshirë edhe një i vdekur, profesor i nderuar në Vlorë, ndërsa një pjesë tjetër janë emigrant.
Më poshtë deklarata e plotë e PD Vlorë:
“Në respekt të anëtarëve të Partisë Demokratike Dega Vlorë dhe dega Selenicë, reagojmë ndaj një falsifikimi dërguar medias, i nënshkruar si “peticion me një listë anëtarësh, qytetaresh dhe simpatizantësh të PD për anulimin e zgjedhjeve…etj”.
Sqarojmë që zgjedhjet do të realizohen mbi Vendimin Nr.1 datë 4 Korrik 2017 të PDSH-se për Kryetarin e PDSH-së, dhe janë e drejtë ekskluzive e anëtarësisë dhe strukturës se PD, dhe e askujt tjetër, qofshin këta qytetare apo simpatizantë të PD.
Po kështu, Partia Demokratike dega Vlorë dhe Selenicë, në bazë të një komunikimi të vazhdueshëm gjatë gjithë ditës së sotme, është kontaktuar nga pjesa më e madhe e ‘nënshkruesve’ të peticionit. Ata kanë përjashtuar kategorikisht pjesëmarrjen e tyre në këtë listë. Një pjesë e tyre ndihen të revoltuar nga ky falsifikim i bërë nga hartuesit e listës dhe kërkojnë të bëjnë kallëzim penal.
Dega Vlorë e Partisë Demokratike nga verifikimet që ka bërë konstaton që:
40 prej “firmëtarëve” nuk janë anëtarë të PD.
60 prej tyre konfirmojnë që nuk e kanë firmosur dhe nuk janë në dijeni të kësaj iniciative.
15 prej tyre janë jashtë shtetit apo të sistemuar përkohësisht jashtë për arsye emigrimi apo pushimi.
1 i vdekur, emri i një profesori shumë të nderuar, i një familjeje me emër në Vlorë, së cilës gjejmë rastin t’i kërkojmë ndjesë në emër të PD-së për “përfshirjen” fatkeqe.
Partia Demokratike dega Vlorë dhe Selenicë distancohet dhe dënon me forcë çdo veprim abuziv të bërë emër të anëtarëve të saj, të çdo peticioni apo çdo lloj tjetër iniciative tjetër jashtë dhe në kundërshtim me vendimet dhe udhëzimet e PDSH-së.
Dega Vlorë konfirmon që zgjedhjet për Kryetar të PDSH-së do të mbahen në 22 Korrik 2017, në zbatim të Vendimit të datës 6 Korrik të Kryesisë së Degës së PD Vlorë, dhe në përputhje me Udhëzimin Nr.1 datë 4 korrik 2017 të PDSH-së, dega Vlorë ka marrë përsipër organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të PDSH-së.
Gjejmë rastin edhe një herë të ftojmë gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që nesër ditën e mërkurë të marrin pjesë në dëgjesën publike dhe diskutimet që do të organizohen me kandidatët për Kryetar të PDSH-së në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë”.

Article Logic
Execution time: 0.0038740634918213