INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Deputetja socialiste, Mimoza Hafizi

Deputetja socialiste, Mimoza Hafizi "ulëret" për importin e plehërave

Publikuar më: 15:13 14-09-2016

Edhe pse qeveria Rama me ardhjen në pushtet anulloi projektligjin për importin e mbetjeve, prej disa kohësh ai është rikthyer dhe pritet të miratohet këtë muaj. Për këtë çështje është shqetësuar jo vetëm shoqëria civile, por së fundmi dhe deputetja e majtë, Mimoza Hafizi, e cila ka reaguar ashpër.

Ja fjala e plotë e deputetes Mimoza Hafizi:
Në kalendarin e punimeve të Kuvendit për muajit shtator është futur një projektligj, i cili synon lejimin e importit të plehrave në Shqipëri. Kam kërkuar zyrtarisht që ky projektligj të tërhiqet mbrapsht. Kujtdo mund t’i kujtohet furtuna e madhe popullore e viteve 2012-2013 për ndryshimin e Ligjit Nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ligj i cili, nga pikëpamja formale, ka patur problem vetëm se nuk ka ndaluar importin e mbetjeve. Rreziku i madh që i kanosej mjedisit shqiptar nga ky import si dhe demotivimi që importi i mbetjeve i shkakton gjithë proçesit imperativ të përdorimit të mbetjeve shqiptare për të mirën e mjedisit dhe të ekonomisë sonë, i ngriti në këmbë shqiptarët në ato kohë. Aleanca Kundër Importit të Plehrave arriti të mblidhte 65 mijë firma me kërkesën për referendum popullor, për shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit.
Ky referendum do të zhvillohej në dhjetor 2013. Por referendumi u anulua, sepse Qeveria e Rilindjes inicioi një ligj për shfuqizimin e të gjitha neneve që lejonin importin e mbetjeve. Atëkohë qeveria shprehej fjalë për fjalë se importi i mbetjeve bie në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe se ky import bie ndesh me përparësinë që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Ky ligj u votua me 10.10.2013 dhe në këtë situatë, referendumi u deklarua i panevojshëm.
Projektligji i ri që kërkohet të miratohet brenda shtatorit i kthen mbrapsht nenet e anuluara në 2013. E konsideroj si tradhti ndaj dhjetra mijë shqiptarëve që firmosën për referendum në 2013 dhe po kështu ndaj miliona shqiptarëve, të cilëve iu hoq e drejta e referendumit përmes ligjit të parë të Qeverisë së Rilindjes. Rikthimi i situatës së mëparshme është pabesi flagrante.
I mbetem të gjitha argumenteve se importi i mbetjeve rrezikon rëndë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të vendit tonë. Mendoj se kjo çështje, e cila prek secilin prej nesh, duhet të ngrejë peshë çdo shqiptar.

Article Logic
Execution time: 0.0040428638458252