Një mënyrë e re e fshehjes së lëndëve narkotike është zbuluar sot. Një 31-vjeçar kishte fshehur kanabis sativa në një televizor dhe nga Tirana po e transportonte në Lezhë. Kjo është bërë e ditur nga policia që ka bërë dhe shoqërimin e poseduesit të lëndës narkotike. Ai u kap në aksin rrugor Tiranë -Lezhë, në kthesën e Patokut."Policia nisi operacionin, mbi bazën e një informacioni të marrë nga qytetarët për një shtetas, i cili ishte nisur nga Tirana në drejtim të Lezhës, dhe me automjetin e vet po transportonte lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e N.N., 31 vjeç, në brendësi të një televizori, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 3 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar Cannabis Sativa”, raporton policia.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.N dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale,"Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", neni 283 i Kodit Penal.
(Televizori ku ishte fshehur droga)