Një 18 vjeçar nga Shqipëria me banim në Kavala të Greqisë është vrarë në orët e vona të ditës së marte. Ngjarja ka ndodhur në zonën "Ajo Gjeorgjiu" në qendër të Kavales, ku rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të martës banorët e dëgjuan dy të shtëna armësh.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe gjeti trupin e pajetë të të riut shqiptar, i cili sipas të dhënave jetonte prej vitesh bashkë me prindërit në këtë zonë.
Policia bëri të ditur se viktima ka dy goditje më armë zjarri nga afër gjë që ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Në dorën e viktimës janë gjetur disa kartmonedha 50 euroshe. Një gjë e tillë sipas policisë largon mundësinë e një grabitjeje dhe lë për të dyshuar se personi mund të kishte probleme të tjera me autorët.
Gjithësi policia bëri të ditur se viktima nuk kishte patur asnjëherë probleme me ligjin. Policia ka bërë disa arrestime përreth zonës së vrasjes dhe prindërit e 18-vjeçarit janë paraqitur në polici për të dëshmuar.
Ndërkohë trupi i viktimës u transferua në spitalin e Kavalës, ku do ti nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore.