INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
E thotë edhe raporti i lumturisë: Shqipëria më e palumtura në Europë [FOTO]

E thotë edhe raporti i lumturisë: Shqipëria më e palumtura në Europë [FOTO]

Publikuar më: 20:17 14-03-2018

Shqipëria renditet në vendin e 112 nga 156 shtete në indeksin e lumturisë 2018, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë e fundit në Europë, pra më e palumtura. Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Europë.

bamnia.png

 

Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Laosi, Tunizia, Sierra Leone, Balgladeshi, Iraku etj.

Në krahasim me një vit më parë, renditja është përkeqësuar me 3 pozicione, teksa në indeksin e vitit të mëparshëm ishim në vend të 109. Ndërsa një vit më parë, në 2016, Shqipëria ishte në pozicionin e 95. Pra në tre vjet është përkeqësuar me 22 vende.

Në grafikun e ndryshimit për periudhën nga 2008–2010 në 2015–2017, Shqipëria renditet ndër 9 vendet në botë që kanë shënuar përkeqësimin më të madh (-0791 pikë), së bashku me vende si Madagascar, Botswana, Turkmenistan, Ukraine, Yemen, Syria, Malawi, Venezuela (shih grafikun e dytë).

Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 93, Maqedonia në vend të 89, Mali i Zi në vend të 81, Serbia në vend të 78, Kosova në vend të 66.

Vendet nordike, sigurisht që vazhduan të ishin më të lumturat. Në renditjen e fundit, në vend të parë ka kaluar Finlanda, duke i zënë vendin Norvegjisë, të ndjekura nga Danimarka, Islanda, Zvicra, Holanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Suedia.

Shtetet më të palumtura në botë janë Burundi, Sudani, Republika Qendrore Afrikane.

Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. Shqipëria ka marrë këtë vit 4.586 pikë).

Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Individëve u bëhen nga Gallup pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”. Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”. Këto pyetje kombinohen me të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje. /Monitor.al

Article Logic
Execution time: 0.0038919448852539