INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Është ushqimi, or budallenj!

Është ushqimi, or budallenj!

Publikuar më: 14:22 24-03-2017

Nga Hysni Gurra

Gazetarët nuk bëjnë dot dallimin mes shembjes së një qytetërimi dhe një aksidenti me biçikletë. Kjo thënie e George Bernard Show mu kujtua kur po “skanoja” lajmet e djeshme- 22 mars 2017. Kur qeni kafshon njeriun nuk është lajm, kur njeriu kafshon qenin, ky po ky është lajm thoshte në fund të shekullit 19 editori i New York Post.

Sot në kohën e portaleve qarkullojnë qindra lajme në ditë. Edhe lajme të vërteta. Po nga kakofonia mbytet lajmi i vërtetë. Lajmi i ditës dje ishte statistika që kishte nxjerrë Instituti i Shëndetit Publik, kërkuar nga monitor.al. Statistikë e frikshme! Numri i të prekurve nga kanceri dhe tumore të ndryshme në Shqipëri, gjatë dekadës së fundit ishte rritur me 70%. Më e tmerrshmja. Preken më shumë të rinj.

Nëse më parë të prekurit nga këto sëmundje ishin mbi moshën 60 vjeç, dhjetë vitet e fundit, 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22 % janë të moshës 55-64 vjeç. Shkaktari kryesorë sipas mjekëve është ushqimi, ndotja mjedisore dhe duhani. Në fakt nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar çfarë ka ndryshuar këto 10 vite të fundit tek ne. Rrjetet sociale shërbejnë shpesh edhe për të parë orientimin, çështjet që u interesojnë qytetarëve të çdo vendi, pra, shërbejnë edhe si një matës për të parë interesat dhe shqetësimet që kanë qytetarët që zotërojnë një llogari në rrjetet sociale.

Nuk pashë asnjë reagim nga qytetarët në rrjetet sociale për këtë lajm të tmerrshëm. Për sigurinë ushqimore dhe ndotjen e mjedisit kam “bërtitur” sa herë më është dhënë mundësia në televizion dhe në portale. Komentuesit, më të shumtët anonimë më janë vërsulur si kundërshtar i qeverisë se situata nuk është aq alarmante, dhe lloj e lloj broçkullash që mund t’i dëgjosh vetëm në Shqipëri. Shqipëria është në gjendje të jashtzakonshme përsa i përket sigurisë ushqimore dhe ndotjes mjedisore. Sa herë të mundem do të përsëris këtë urgjencë.

Edhe me rrezikun që do të dukem si i “luajtur” dhe që nuk kam “lidhje me realitetin” Sigurisht që këto dy fenomene kanë një shkak, dhe shkaktarët janë institucionet dhe institucionet kanë emra, këta emra kanë pushtet dhe pushteti në Shqipëri kontrollon gjithçka, dhe kushdo që në mënyrë të pavarur, profesionalisht dhe pa u paguar nga askush, ngre zërin për problem të tilla, nuk merret seriozisht, sado serioze të jetë çështja që ngre. Ne jemi unik në indiferencën tonë ndaj çështjes së sigurisë ushqimore dhe ndotjes së mjedisit! Në Shqipëri vdekshmëria nga sëmundjet tumorale/kanceroze është me tendecë rritje dhe në vendet e rajonit vjen duke u ulur.

Ne solidarizohemi me të gjitha qytetet e botës në rrjetet sociale kur ndodh një akt terrorist diku, dhe mirë bëjnë, por a është më pak shqetësuese kjo statistikë se një akt i tillë? Ajo që ndodh në Shqipëri me sigurinë ushqimore dhe me ndotjen e mjedisit është më shumë se akt terrorist! Faji nuk është jetim. Ndotja e mjedisit ka përgjegjës. Pesha kryesore bie mbi ata që kanë mekanizmat në dorë për të frenuar atë, siguria ushqimore është ekskluzivisht përgjegjësi e pushteteve. Më pas vjen media dhe qytetarët. Paaftësia dhe korrupsioni i institucioneve përgjegjëse është shkaktari kryesor i kësaj statistike të tmerrshme. Indiferenca jonë është ushqim për rritjen e së keqes.

Sa më indiferentë qytetarët aq më komod ndihet pushteti. Po na vrasin ushqimet! Po na vret mjedisi! Dhe mjedisi, ajri që thithim është i njëjtë si për milionerin si për endacakun, si për profesorin ashtu edhe për analfabetin, si për politikanin ashtu edhe për votuesin që shet votën për një thes miell. Ne jemi ato çfarë hamë. Ajo që po hamë është si mina me sahat, që një ditë shpejt a vonë plas. Mina ka plasur. Nuk ka gazetarë në “vendngjarje” për ta raportuar. Duke perifrazuar slloganin e fushatës së parë zgjedhore të Presidentit Klinton në SHBA. – Është ushqimi or budallenj!

Article Logic
Execution time: 0.0021750926971436