INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Europa League,Borusia e Dortmundit dhe Liverpuli japin leksion

Publikuar më: 10:18 11-03-2016

Mbrëmë janë luajtur ndeshjet e para të fazës së 1/16 në Europa League, teksa spikati derbin britanik me Manchester United që u mund 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Anfield”.

Golat e realizuar nga Sturridge në minutën e 20-të, me 11-metërsh, dhe nga Firmino në të 73-tën i dhanë fitoren 2-0 Liverpulit.

Një tjetër humbje të thellë pësoi Totenhemi, që u mund 3-0 në Dortmund karshi Borusias. E papritur kjo humbje për skuadrën që pretendon të fitojë kampionatin anglez. Kjo është humbja më e thellë e Totenhemit në këtë sezon, ndërsa tre gola nuk i pësonte që nga maji i vitit të shkuar. Për skuadrën gjermane, një gol e shënoi Aubameyang, e dy të tjerët mbajnë firmën e Marco Reus-it.

Në përballjen spanjolle, Atletik Bilbao fitoi 1-0 ndaj Valencias. Sparta e Pragës dhe Lacio u kënaqën me një barazim 1-1 mes tyre. Vilareali siguroi një fitore bindëse ndaj Bajer Leverkusenit, 2-0, ndërsa turqit e Fenerbahçes i mundën minimalisht, 1-0, portugezët e Bragës. Shakhtari i Donjeckut bëri një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Ligës së Europës me fitoren 3-1 ndaj Anderlehtit, kurse Bazeli dhe Sevilja e lanë gjithçka të hapur pas barazimit 0-0.

Ndeshjet e dyta të kësaj faze të Ligës së Europës do të luhen të enjten që vjen.

 

Article Logic
Execution time: 0.0034759044647217