INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Flasin opozitarët e rinj, a do i bashkohen PS-së për shkarkimin e Metës?

Flasin opozitarët e rinj, a do i bashkohen PS-së për shkarkimin e Metës?

Publikuar më: 15:58 10-06-2019

Partia Socialiste nuk mund ta shkarkojë e vetme Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës. Asaj do i duhen jo vetëm 3 votat e deputetëve të pavarur që u zgjodhën në 2017 nën siglën e PDIU-së por edhe 16 vota nga opozita e re. Disa prej deputetëve opozitarë e shprehën qëndrimin e tyre. Lefter Maliqi, nga listat e PD, shprehu votën kundër. Madje, ai kërkon të njëjtin veprim edhe nga deputetët e tjerë të opozitës. “I bëj thirrje deputetëve të opozitës së re, nëse s’jeni kukulla të Edi Ramës, largohuni nga çdo pazari politik që mund të bëjë me ju për çmendurin e tij të radhës për Shkarkimin e Presidentit”, shkruan ai në Facebook.

Deputeti Ralf Gjoni, nga listat e LSI-së, votën e tij pro shkarkimit e kushtëzon me ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Kriza aktuale politike po kthehet në një situatë tragji-komike e cila na imponon gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvend. Papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat tona kombëtare dhe po shkatërron të ardhmen tonë. Ndaj dhe angazhimi im parlamentar dhe vota ime në Kuvend do të udhëhiqen para së gjithash nga ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe ligji për partitë politike, si strumbullarë të gjithçkaje të mbrapshtë në këtë vend. Ndaj dhe vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korigjimin e masakrës elektorale të vitit 2008”, shprehet Gjoni.

Një tjetër deputet që sot foli ishte Myslim Murriz. Ai nuk e ka shprehur votën por aktin e Ilir Metës e ka konsideruar në shkelje të Kushtetutës. “Unë nuk mbahem si babai i Kushtetutës, por të lexoj di dhe e kam provuar këtë. Zhdekretim nuk e kam dëgjuar, është shpikje alla shqiptarçe, po ta gjeni ma thoni ju. Kushtetuta e ka thënë qartë. Parlamenti është sovrani që qeveris këtë vend, qoftë edhe Presidenti i Republikës zgjidhet me shumicën e thjeshtë të votave”, tha ai nga Kryesia e Kuvendit.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.00337815284729