INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Formohet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, ja kush janë 6 anëtarët gjyqtarë! Reagon ambasada amerikane!

Formohet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, ja kush janë 6 anëtarët gjyqtarë! Reagon ambasada amerikane!

Publikuar më: 19:58 12-12-2018

Janë përzgjedhur 6 anëtarë të KLGJ. Dritan Hallunaj dhe Brunilda Kadi, janë dy fituesit e parë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucion që do të bëjë emërimet në drejtësi. Këta dy gjyqtarë vijnë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Ndërkohë, anëtarë për Këshillin e Lartë Gjyqësor janë zgjedhur Ilir Toska nga Gjykata e Apelit, si dhe Marcela Shehu, gjyqtare pranë Gjykatës së Kurbinit.

Gjithashtu, pjesë e KLGJ-së, janë edhe gjyqtar Medi Bici dhe Brikena Ukperaj, të cilët janë emëruar automatikisht për shkak të mungesës së konkurrentëve. Bici vjen prej Gjykatës së Lartë, kurse Ukperaj nga Gjykata e Apelit. Në garë për të zënë 6 vende në KLP ishin 10 gjyqtarë. Një ditë më parë, u përzgjodhën 6 anëtarët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e prokurorëve, duke përmbyllur kështu formatimin e këtij institucioni me 11 anëtarë, 5 prej të cilëve janë përzgjedhur më herët nga radhët e shoqërisë civile. Tashmë u krijuan dy institucione dhe me krijimin e tyre i hapet rruga strukturës të antikorrupsion, njohur shkurt si SPAK.

Anëtarët jo gjyqtarë për KLGJ-në janë:

–Avokatia: Fatmira Luli, Alban Toro.

–Pedagogët: Erion Muharremaj, Maksim Qoku.

–Shoqëria civile: Naurela Llagami.

 Për ngritjen e këtyre dy organeve të drejtësisë së re, ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Tiranë, duke përgëzuar prokurorët dhe gjykatësit që sipas saj zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë.

Reagimi i ambasadës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë mirëpret krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë.

Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë

Article Logic
Execution time: 0.0035269260406494