INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjosha: Reforma në drejtësi ishte një iniciativë e drejtpërdrejtë e LSI

Gjosha: Reforma në drejtësi ishte një iniciativë e drejtpërdrejtë e LSI

Publikuar më: 14:13 16-08-2017

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, mori pjesë në një nga aktivitetet e shumta që po zhvillohen në kampin veror të Lëvizjes Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e LRI-së, znj. Gjosha ka diskutuar dhe u është përgjigjur pyetjeve lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në këtë seminar, znj. Gjosha u shpreh se procesi i integrimit e ndihmon Shqipërinë që të forcojë institucionet dhe për të pasur një sistem drejtësie që të garantojë të drejtat për çdo qytetar.

“Ç’do të thotë në të vërtetë i gjithë procesi i Bashkimit Evropian? E vërteta e saj është shtet-ndërtimi, gjë që i ka munguar Shqipërisë së gjithë këto vite. Ne kemi dalë nga një sistem komunist ku shteti ishte në dorë të një personi, ku institucionet ishin thuajse pa asnjë lloj funksioni por merrnin urdhra nga lart. Prandaj dhe Shqipëria ndër vite ka vuajtur shumë për të pasur institucione të pavarura, institucione të forta dhe që funksionojnë në bazë të ligjit. Na intereson procesi për të forcuar institucionet tona për të pasur një sistem drejtësie të drejtë për çdo qytetar dhe për këdo, dhe për të pasur sa më shumë investime të huaja. Procesi për ne është jetik, shtetndërtimi për ne është jetik, arsimi është gjithashtu jetik”, – tha znj. Gjosha e cila është njëkohësisht edhe Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim.

Gjithashtu, znj. Gjosha u ndal edhe në kontributin që LSI-ja ka dhënë për reformat e veçanërisht për reformën në drejtësi, që solli edhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

“Në këto katër vite janë bërë jashtëzakonisht shumë për Shqipërinë, edhe reforma në drejtësi që i dha mundësi për rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave ta dini që ka qenë një iniciativë e drejtpërdrejtë e LSI-së me një mund të jashtëzakonshëm të Ilir Metës kur ishte Kryetar Kuvendi për të arritur një konsensus. Sepse sot nuk do ta kishim këtë mundësi, nuk do të kishim as rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave”, – vijoi znj. Gjosha.

Duke folur në lidhje me pozicionim e LSI-së në katër vitet e ardhshme, Gjosha u shpreh se procesi i integrimit dhe Shqipëria kanë nevojë për një opozitë konstruktive dhe që ofron alternativa për qytetarët.

“Ne kemi nevojë sidomos për të ndihmuar procesin e integrimit, të jemi konstruktivë, gjë që i ka munguar në këto katër vite Kuvendit të Shqipërisë. Alternativa në këtë vend kanë munguar dhe duke dhënë alternativë ti u jep shpresë të rinjve që nesër mund të kesh njerëz në politikë që dinë të drejtojnë ndryshe. I jep shpresë edhe brezave që i kanë humbur ato shpresa fare, sepse kanë 27 vite që jetojnë në një demokraci shumë të brishtë pa shtet. Në asnjë mënyrë bojkot, nuk është alternativa e duhur”, – deklaroi Ministrja e Integrimit gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e LRI-së.

Article Logic
Execution time: 0.0039348602294922