Në kuadër të operacionit “Gracka”, policia e Tiranës ka arrestuar një 41-vjeçar i akuzuar për disa vjedhje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë për tentativë vjedhjeje në garazhet e një pallati, kanë organizuar punën duke ngritur shërbime grackë.
Si rezultat i këtyre shërbimeve u bë e mundur që rreth orës 04:30, të kapet në flagrancë shtetasi E.P., 41 vjeç, banues në Kavajë, (i dënuar më parë për vjedhje).
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 3, bazuar në mekanizmin, mënyrat, vendin dhe territorin ku kishin ndodhur vjedhjet, dyshohet se ky shtetas është autori për vjedhjen e sendeve dhe materialeve në disa garazhe dhe konkretisht:
Më datë 11.03.2019, në rrugën “Hajredin Shtino”, në garazhin e marrë me qira nga shtetasi A.G, dyshohet se ka vjedhur një kondicioner dhe zinxhirët e gomave të automjetit.
Më datë 20.03.2019, në rrugën “Reshit Çollaku”, në garazhin e shtetasit E.H., dyshohet se ka vjedhur vegla pune si dhe ka dëmtuar derën e mjetit.